Ukrainë, eksperti: Heroizmi i ushtarëve në Mariupol
“Na ndihmoni, na kanë mbetur vetëm pak orë kohë!”
Është kjo thirrja e dëshpëruar që i bën botës, një prej komandantëve të forcave që po mbrojnë qytetin ukrainas të Mariupolit.
Rusia u ka dhënë një ultimatum të ri forcave të rezistencës që strehohen në fabrikën e hekurit dhe çelikut, Azovstal, të ulin armët gjatë orëve në vazhdim.
Por në një mesazh të publikuar në orët e para të së mërkurës, major Serhiy Volyna i batalionit Azov, tha se trupat e tij nuk do të dorëzoheshin, ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojnë 500 ushtarët e plagosur dhe qindra gratë e fëmijët, që siç tha po fshihen bashkë me ta në bunkerët e impiantit.
“Kjo është deklarata jonë për botën. Mund të jetë e fundit. Mund të na kenë mbetur vetëm pak ditë, ose pak orë. Njësitë e armikut janë 10 herë më shumë se sa ne. Kanë supremaci në ajër, artileri dhe njësitë që janë dislokuar në tokë, pajisje dhe tanke. U bëjmë thirrje liderëve botërorë të na ndihmojnë”, tha Serhiy Volyna, komandant i Brigadës së 36 të Marinës.
Ndërkohë, një nga ekspertët më të mirë britanikë, profesori Malcolm Chalmers, tha se forcat ukrainase në Mariupol kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm dhe heroik. Ai tha për BBC se ata kanë mbajtur të ngujuar në luftime mijëra ushtarë rusë, të cilët mund të ishin zhvendosur në veri për betejën ndaj kryeqytetit.
“Mbrojtësit e Mariupolit, pasi kanë rezistuar kaq gjatë, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e përgjithshme të luftës, edhe pse janë të mbingarkuar,”tha ai për BBC.
“Burimet ruse nuk janë të pakufizuara dhe ata kanë humbur shumë njerëz dhe pajisje në një fushatë të dështuar për të marrë Kievin,” shtoi Chalmers.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



