Unë jam Rezearta Çaushaj: E kemi lënë veten në dorë të lali €rëve që të rrjepin ditën dhe të vrasin natën
Për të qeshur, sepse të akuzosh një grua shtatzanë për dhunë ndaj policisë, është si të akuzosh lepurin për dhunë ndaj ujkut.
Është për të qarë, sepse dëshpërohem sa herë mendoj se ku do të më duhet të rris fëmijën tim.
Unë jam Rezearta Çaushaj. Pas pak muajsh do të bëhem nënë për herë të parë dhe jam e ngazëlluar (nuk ishte kjo mënyra sesi kisha ëndërruar ta shpallja publikisht, por…)
Fëmija i parë është një pikë thyerje në jetë. Është momenti kur ti kupton që tashmë jeta jote nuk të përket më ty, por atij. Çdo vendim apo veprim që nga ky moment e tutje, nuk i bën më për veten tënde, por për atë.
Është një ndjesi e bukur…
Por unë nuk jam vetëm shtatëzanë. Sot mësova që ky konglomerati kaotik social, që ne për konvencion e quajmë “shteti ynë”, më ka quajtur kriminele. Sepse dola dhe protestova kundër rritjes së çmimit të ujit. Sepse dola dhe bërtita kundër grabitjes që Lali €ri po iu bën mijra familjeve në Tiranë duke iu rritur çmimin e ujit.
Është sa për të qeshur, aq edhe për të qarë.
Për të qeshur, sepse të akuzosh një grua shtatzanë për dhunë ndaj policisë, është si të akuzosh lepurin për dhunë ndaj ujkut.
Është për të qarë, sepse dëshpërohem sa herë mendoj se ku do të më duhet të rris fëmijën tim.
Ku po shkojmë? E kemi lënë veten dhe vendin në dorë të hajdutëve që as nuk mendojnë asnjë sekondë për asgjë tjetër përveçse si të përfitojnë për veten e tyre, për xhepin e tyre. Në dorë të përdhunuesve politikë që pasi të dhunojnë, nuk të lënë as të nxjerrësh ofshamën e dhimbjes.
E kemi lënë në dorë të Lali €rit dhe lali €rëve që të rrjepin ditën dhe të vrasin natën. Rrit çmimin e ujit, iu vjedh lekët njerëzve, dhe që t’i shkojë deri në fund aktit të përdhunimit, i merr dhe i fut në burg ata që ankohen.
Kjo më dëshpëron pa masë.
Unë gjithmonë kam protestuar kur e kam parë të padrejtën që ngre krye. Dhe do të vazhdoj ta bëj. Çështja është se e vetme, apo thjesht me disa qindra në shesh nuk kam për të arritur ndonjë gjë të madhe.
Duhet ta kuptojmë të gjithë. Mushka jonë drutë i do të tilla. Dhjetra mijëra në shesh. Vetëm kështu mund të ndryshojmë diçka. Dhe duhet të ndryshojmë diçka, përpara se gjithçka të kthehet në e pandrysheshme më.
Përpara se të gjithë të ikin dhe i fundit të mbylli dritat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



