Urimi i Bashës për Ramën për vitin 2022: Në rrafshin personal i uroj pleqëri të mbarë, në atë politik, mos i ardhtë kurrë Shqipërisë një njëri si ai!
“Asgjë s’do të ndodhë më 5 janar, të përgatitur për çdo situatë”, Basha: Demokratët zgjodhën të ardhmen me vetëdije, askush s’e ka vizionin e potencialin tonë për të ecur përpara
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha gjatë fjalës së tij në konferencën për mediat, se asgjë nuk do të ndodhë më 5 janar, datë kjo që komisioni i Rithemelimit ka vendosur si afatin e fundit që Basha të lirojë zyrën në parti. Ai tha se PD është e përgatitur për çdo situatë.
“Asgjë s’do të ndodhë. PD e përgatitur për çdo situatë e nuk do të lejojmë trekëndëshin e Bermudës, që në një vit që premton të jetë vendimtar për ndarjen nga tranzicioni ta zhvendosë fushën e betejës nga shumica e shqiptarëve nga regjimi i Ramës dhe patericave të tij te përplasja mes demokratëve për interesat e një personi të vetëm”, tha Basha.
Ai shtoi më tej se ëndrra e kryeministrit Edi Rama për të damkosur PD ka marrë fund më 9 shtato dhe u bë pluhur e hi më 18 dhjetor. Ky është lajm i keq sipas kryedemokratit për Ramën dhe personat që e duan partinë për interesa personale, por shumë i mirë nga ana tjetër për shqiptarët.
“Ëndërra e Edi Ramës për ta damkosur PD me non gratën amerikane mori fund më 9 shtator u bë pluhur dhe hi më 18 dhjetor. Demokratët zgjodhën të ardhmen dhe e zgjodhën me vetëdijen se kurrkush veç nesh nuk posedon forcën, vizionin dhe potencialet për të ecur përpara.
Vendimi i tyre është i qartë. Është jo vetëm një vendim që i shërben shqiptarëve. Vendimi është për të ecur përpara dhe për të lënë pas të shkuarën. Nuk ka më kthim pas! Ky është lajm i keq për Ramën, për trekëndëshin e Bermudës dhe është një lajm i mirë për shqiptarët”, përfundoi Basha.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për mediat, ka bërë një urim për shqiptarët, duke mos munguar notat ironike edhe ndaj kryeministrit Edi Rama.
Basha ka uruar shqiptarët se shpreson se vitit 2022 do të jetë viti i kthesës që të gjithë presin. Për Ramën ai tha se në rrafsh personal i uron pleqëri të mbarë, ndërsa në atë politik, tha se shpreson që të mos i vijë Shqipërisë një i dytë si ai.
“Urimi im është që 2022 është një vit që kthehemi drejt normalitetit. Një vit normal që i plotësohen ëndrrat shqiptarëve sipas aftësive, mundësirave që ato kanë. Natyrisht kjo nuk arrihet brenda një viti, por 2022 është si një vit i mbarë për t’u ndarë nga e keqja 30-vjeëare. Me një reflektim të thellë historik për gjithçka kemi bërë gabim.
Me një ripërtëritje vizioni, të shpirtit, por edhe korpusit politik e me një thirrje të veçantë ndaj të rejave dhe të rinjve shqiptarë. 2022 do ju rikthejë shpresën te Shqipëria. E prindërve të tyre dua t’i ta rigjejnë besimin për të luftuar në emër të fëmijëve të tyre. Sa për Edi Ramën në rrafshin personal, pleqëri të mbarë, në rrafshin politik, mos i ardhtë kurrë një njeri si ai Shqipërisë”, tha Rama.
A do afrohen deputetët që i janë bashkuar Berishës? Basha: PD e bashkuar në qëllime, s’kam kërkuar uniformitet mendimi. Secili vendos vetë se si do i përgjigjet…
I pyetur nëse ka ndonjë plan se si do të afrohen këta deputetë me PD-në që nuk e pranojnë si kryetar, Basha tha se secili vendos vetë se si do t’i përgjigjet vendimeve të demokratëve
“PD ka folur qartë, demokratët janë shprehur qartë. Secili vendos vetë nga ata që janë ngarkuar me përgjegjësi nga demokratët, në çfarëdo pozite qofshin dhe në pozitat më të larta se si do t’i përgjigjet vendimeve të demokratëve. Një gjë është e sigurt, PD-në Edi Rama nuk do ta ketë përballë si një parti të damkosur ‘non grata’ nga aleati ynë strategjik SHBA-të dhe grupi ‘na bashkoi non grata amerikane’, i cili pritet të zgjerohet me të tjerë anëtarë do ketë përballë një PD të bashkuar në qëllime. Nuk kërkoj dhe s’kam kërkuar kurrë uniformitet mendimi sepse kjo do të më bënte njësoj me treshen e tranzicionit. Qëllimi dhe misioni im është t’i jap fund këtij tranzicioni të tejzgjatur dhe pjesë e këtij misioni është pikërisht që përmes kulturës së re politike, nxitjes së mendimit ndryshe, nxitjes së debatit të mundësojmë që PD në bashkëpunim me të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë, t’i japë shumicës dërrmuese të shqiptarëve një orë e më parë atë që meriton, ndryshimin”, deklaroi kreu i PD.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



