E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vatra aktive zjarri në Shënvasil, Lukovë dhe Sasaj
Lajme

Vatra aktive zjarri në Shënvasil, Lukovë dhe Sasaj

Zonat bregdetare të jugut të Shqipërisë po përballen me disa vatra zjarri, por sipas autoriteteve lokale, situata aktualisht është nën kontroll.

Raportimet e fundit bëjnë me dije se një vatër aktive ndodhet në fshatin Shënvasil, ndërsa tre vatra të tjera janë identifikuar në zonën e Lukovës dhe një në fshatin Sasaj.

Administratori i Njësisë Administrative të Lukovës, Adi Boçi, ka deklaruar se nuk ka rrezik të menjëhershëm për banorët apo për përhapje të pakontrolluar të flakëve, por vatrat mbahen në monitorim të vazhdueshëm. Ai theksoi gjithashtu se autoritetet janë në pritje të ndërhyrjes me helikopter për të ndihmuar në izolimin e zjarreve.

Gjatë gjithë natës, në operacionet për shuarjen e flakëve kanë qenë të angazhuara shërbimet zjarrfikëse të Himarës dhe Sarandës, si edhe forcat e ushtrisë, të cilat kanë ofruar ndihmë në terren.

Autoritetet lokale vijojnë të apelojnë për kujdes maksimal nga ana e banorëve dhe turistëve, duke kërkuar shmangien e çdo veprimi që mund të çojë në zjarrvënie, të qëllimshme apo të pavetëdijshme.

Zjarri i Skërficës rrezikon territorin e Gjirokastrës, ndërhyrje intensive që në orët e para të mëngjesit

Borshi 2

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 05:00, trupa e shërbimit zjarrfikës të Gjirokastrës, në bashkëpunim me forcat mbështetëse të Bashkisë Gjirokastër, ka ndërhyrë në malin e Skërficës për të izoluar përhapjen e një zjarri të fuqishëm që po avancon nga territori i Delvinës drejt Gjirokastrës.

Në këtë operacion janë angazhuar:

6 punonjës të MZSH Gjirokastër
15 punonjës të shërbimeve publike të bashkisë

Terreni është i vështirë dhe kërkon koordinim të lartë për të parandaluar kalimin e flakëve në zonat e banuara apo me interes pyjor.

Ndërkohë, autoritetet njoftojnë se situata në vargmalin Fushë-Bardhë – Zhulat, ku një ditë më parë ishin aktive disa vatra zjarri, është nën kontroll të plotë.
Zjarri është shuar plotësisht, ndërsa në fshatin Zhulat vijon djegia e disa trungjeve të mëdha, por pa rrezik për përhapje. Këto pjesë po monitorohen nga shërbimi zjarrfikës, për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.

MZSH Gjirokastër mbetet në gatishmëri të lartë, ndërsa apelohet për bashkëpunim nga banorët lokalë për të raportuar çdo sinjal zjarri dhe për të shmangur veprimet që mund të çojnë në rindezje të flakëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.