Vdekja e fëmijës 3-vjeçar, policia arreston edukatoren e kopshtit privat
Policia e Fierit ka arrestuar edukatoren e kopshtit privat në Fier, që kujdesej për fëmijën 3 vjeçar i cili humbi jetën të premten aksidentalisht.
Njoftimi nga Policia e Fierit:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, arrestuan shtetasen R. B., 27 vjeçe, banuese në Fier, pasi në kopshtin privat ku punon si edukatore, ka humbur jetën aksidentalisht fëmija i mitur 3 vjeç, i cili duhej të ishte nën mbikqyrjen e kësaj shtetaseje.
NGJARJA
Burimet bëjnë me dije se vogëlushi është dërguar në spitalin e qytetit nga edukatoret, por ai nuk ka pasur shenja jete. Mjekët kanë konstatuar se fëmija kishte ndërruar jetë dhe nuk kanë pasur mundësi për ta shpëtuar atë.
Fillimisht u dyshua se fëmija kish gëlltitur një send të fortë dhe pasi u paraqit në spital, mjekët konstatuan shenjë në qafën e tij, të cilat u dyshuan se ishin shkaktuar nga tentativa e edukatoreve dhe stafit të kopshtit për ta shpëtuar vogëlushin.
Por këto informacione janë dyshime paraprake të cilat do duhet të vërtetohen nga Policia, që ka nisur hetimet mbi ngjarjen e rëndë. Ndërkohë që nga dëshmia e edukatoreve del se fëmija mund të jetë varur aksidentalisht nga kapuçi i xhupit.
Po sipas dëshmisë së edukatoreve, 3-vjeçari ka qenë duke u larguar nga kopshti në orën 13:00 dhe ka shkuar si çdo ditë të marrë çantën e varur në dhomën tjetër. Dyshohet se kur është zgjatur për të marrë çantën, kapuçi i xhupit të tij ka ngecur në varësen e çantave dhe për pasojë ai është mbytur.
Edukatoret, kur kanë parë që fëmija u vonua, kanë shkuar ta shohin, por e kanë gjetur pa shenja jete. Edhe pse kane tentuar t’i vijnë në ndihmë, nuk kanë mundur.
Ato kanë njoftuar ambulancën dhe e kanë shoqëruar drejt urgjencës, por mjekët kanë konstatuar se nuk kishte shenja jete.
Ndërkohë, familjarët e vogëlushit kanë kërkuar hetime dhe kanë denoncuar kopshtin. Ata kanë kërkuar të zbardhet e vërteta e ngjarjes.
“Jam daja i fëmijës. E kemi çuar në mëngjes në kopsht, vetëm kur na vjen lajmi, hajdeni se djalin e keni keq. Erdha me vrap në urgjencë. Aty u takuam me doktorin që ishte munduar ta kthente në jetë. Doktori tha se djali ka ardhur i pajetë. Ne i bëmë të gjitha çfarë ishin për të bërë dhe djalin nuk e shpëtuam dot. Më tha që kishte një shenjë në grykë. Për këtë duam drejtësi”, tha daja i fëmijës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



