Veliaj: Përfaqësuesit e opozitës i çojnë fëmijët e tyre në Angli e Hollandë ndërsa fëmijët e shqiptarëve i përdorin për politikë
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka akuzuar ditën e sotme perfaqesuesit e opozitës së po përdorin fëmijët dhe të miturit për protesta dhe politikë. Sipas Veliajt kush nxit dhunë për të përfituar politikisht, nuk ka asnjë shans për të fituar zgjedhjet.
“Familja e Klodianit është zemërthyer. Babai i tij, Qazimi, tha të mos këputet asnjë lule, të mos thyhet asnjë pemë, të mos prishet asnjë zbukurim në qytet. Duke prishur semaforët do të kemi më shumë aksidente, duke prishur sinjalistikën do kemi më shumë problematika dhe sherre mes qytetarëve. Kam një pyetje për të gjithë ata që e kanë përdorur dhunën për të bërë politikë: Pse nuk nxjerrin fëmijët e tyre të protestojnë? Por, i çojnë në Angli e Hollandë, ndërsa fëmijët e shqiptarëve i çojnë mish për top për politikë. Për sa kohë që familja e Klodianit kërkon të mos dhunohet, të mos këputet asnjë lule, çfarë halli kanë këta?! Kanë vetëm hallin e punëve të tyre! Këta nuk i fitojnë dot zgjedhjet me votë”, tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj ka vazhduar me tej duke thënë se përfaqësuesit e opozitës duhet, së pari, të japin shembullin e tyre personal, duke ndihmuar një familje në nevojë. Për të askush nuk mund të fitojë me dhunë dhe zjarr sepse së pari ata duhet të punojnë dhe mos të shtojnë cilat dhe pasurinë e tyre.
“Është e mirëkuptueshme kur zemërimi zgjat mjaftueshëm për të nxjerrë dufin, por jo kur kthehet në axhendë politike. S’janë paratë e shtetit, janë paratë e popullit. I ftoj të gjithë qytetarët që të vijojnë të mbështesin transformimin e Tiranës. Tani që partitë politike të opozitës e kanë marrë mesazhin, edhe nga ndërkombëtarët, dhe kanë ndaluar pagesën e parave për protestat e tjera, ne do u rikthehemi zbukurimeve, jetës normale, rindërtimit të qytetit, do vijojmë me ndërtimin e shtëpive. Kryeministri do vazhdojë me përpjekjet për të sjellë sa më shpejt vaksinën dhe duam që të lëmë pas këtë vit të shëmtuar, për t’u futur në një vit dhe shekull të ri për Tiranën, ku do flitet më shumë për fushatën e vaksinimit, për rindërtimin e shtëpive dhe shkollave, e më pak për dhunën, që s’na ka çuar kurrkund në këto 30 vite”, shprehet Veliaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



