Në media dalin të dhëna nga dosja, ja sa para iu gjetën të shoqes
Tre ditë më parë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan në banesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit ndodhej jashtë vendit të Premten, ndërsa SPAK tha përmes një njoftimi zyrtar se “janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”. Sipas një dokumenti të ekspozuar në emision, kontrolli është kryer ndaj nënës, vëllait, bashkëshortes së Veliajt. Gazetarja Lala tha se “Hetuesit e BKH janë paraqitur të premten në mëngjes përpara vilës së Veliajt në Kodrën e Diellit, për të zbatuar vendimin e gjykatës, për kontroll personal ndaj bashkëshortes, Ajola Xoxa. Pasi kanë pritur një orë e 40 minua, kanë hyrë në banesë dhe kanë sekuestruar telefonin e Xoxës. Kanë zhvilluar kontrolle edhe në qendërën Harabel, te galeria dhe te zyra e zonjës Xoxa. Është gjetur shumë e konsiderueshme parash. Te Harabeli janë sekuestruar dokumenta, fatura, etj, të rëndësishme për hetimin. Sa i përket vëllait, Arbër Veliaj, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar kontroll në dy vila, një në Kodrën e Diellit dhe tjetra në Qerret të Kavajës. Në këto vila nuk janë gjetur sende me vlerë të hetimit.
Më pas ka patur kontroll pranë kompanisë Gogel, ku janë marrë dokumente, kontrata, fatura, laptopë, që sipas hetuesve janë me vlerë për hetimin pasuror që po kryhet.
Vendimi i gjykatës nuk është ekzekutuar plotësisht, sepse ishte urdhëruar edhe sekuestrimi i celularit të Arbër Veliajt, por ai nuk ndodhej në banesë ishte në Vienë.
Mund të konfirmoj që gjatë kontrollit në qendrën Harabel, është sekuestruar një shumë e konsiderueshme por nuk jam në gjendje të them nëse është e njëjta shumë që deklaron Sali Berisha. Avokatët mbrojtës të zonjës Xoxa dhe Arbër Veliaj, kanë thënë se po bëjnë gati ankimin në gjykatë, pasi e konsiderojnë të paligjshëm kontrollin.
Konfirmoj nga burime të besuara, që është gjetur shumë e konsierueshme parash te Harabel, që i përket zonjës Xoxa, që të konfirmoj apo provojë, që këto para janë të ligjshme, para që rrjedhin nga aktivitet i ligjshëm ekonomik. Mbetet për t’u parë.
Henrik Ligori, avokati, sa i përket mos sekuestrimit të celularit të Arbër Veliaj, tha se ka dorëzuar shkresë që është i gatshëm ta dorëzojë telefonin”. tha Lala.
Teksa ende nuk ka një akuzë zyrtare ndaj Veliajt, sonte në “Opinion” avokati Eugen Beci sqaroi nga ana juridike se kur kryhet kontroll i banesës dhe kur kufizohet jeta apo liria e një personi.
“Këtu është kakofonia që duhet sqaruar nga Prokuroria e Posaçme duke ruajtur sekretin hetimor. Këtu është edhe thelbi i ndryshimit të madh procedurial. Në rast se kemi procedim penal ne nesër do kemi masa sigurimi, do presim njoftime akuzash, do presim rast konkret. Në rast se kemi procedim penal i cili ka të bëjë vetëm me verifikimin e kushteve të fitimit të pasurisë dhe mënyrës si e ke krijuar pasurinë atëherë faqja e mëparshme e këtij vendimi, duhet të na tregonte se cila është akuza që po hetohet kryetari i bashkisë së Tiranës. Se në të kundërt, procedimi penal kur ushtrohet kontroll banese ose kontroll personal, patjetër duhet të kemi dyshim se personi i lidhur me të ose vetë ai ka kryer një vepër penale dhe është i dyshuar për veprën penale. Në rast se është vetëm hetim pasuror, maksimalja që do ndodhë është vetëm që të kesh dyshime ose indicie që personi e ka kryer një veprimtari kriminale dhe më pas t’i konfiskosh pasurinë. Kurse procedimi penal sjell pasoja edhe për jetën e lirinë e personit. Dyshimin duhet ta kesh të autorizuar. SPAK duhet të thotë që po unë kryetarin e bashkisë po e hetoj për këtë vepër penale”, tha Beci.
Kujtojmë se Veliaj në reagimin e tij theksoi se i mbështet hetimet ndaj tij apo familjarëve në çdo hap, duke shtuar se nuk bën pjesë në kastën e vjetër politike. Kjo e fundit sipas tij, e vë veten mbi ligjin e drejtësinë.
Gazetarja Klodiana Lala tha se ka marrë informacion të konfirmuar se Erion Veliaj po hetohet për korrupsion.
Në fakt, informacione mbi hetimet ndaj Veliajt janë dhënë tërthorazi edhe zyrtarisht.
Më 23 maj 2024, në media rrodhi një shkresë e prokurorit të SPAK, që i kërkonte bankave informacion për financat e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.
Në shkresë thuhet se kjo kërkesë bëhet në kuadër të procedimit penal, por pa e specifikuar, të paktën në atë pjesë të shkresës që u publikua. Ky procedim penal ka nisur me dyshimet për pastrimin e parave. Kjo lidhej me krahët e Veliajt, që e kanë shoqëruar në çdo vend drejtorët Molla, Qato, Tusha, që aluzohen për aferën “5D”.
Një tjetër informacion është dhënë nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili tha se “hetimi për inceneratorin e Tiranës po vijon dhe po hetohet roli i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj”,por nuk sqaroi a është regjistruar si person nën hetim.
Pas kontrollove ndaj familjarëve të kryebashkiakut Veliaj, SPAK zbuloi se ato janë kryer në kuadër të një hetimi pasuror për një procedimi penal që ka nisur.
‘Vëllai i Veliajt, 32 mln euro xhiro në dhjetë vite’
Gazetarja Ola Xama, ka “skanuar” pasurinë e Veliajt dhe familjarëve të tij. Pasuria e kryebashkiakut duket modeste, por ajo e vëllait të tij është marramendëse. Xama tha se në dhjetë vite, kompania Gogel e Arbër Veliajt ka xhiruar 32 milionë euro, ndërkohë që në vitin 2014 kishte një xhiro 240 mijë euro.
Xama: Pasuria e Erion Veliajt e deklaruar deri në vitin 2022, është një apartameent, 111 metra katrorë. Është bashkëpronar i një tjetër apartamenti bashkë me Ajola Xoxën, 162 metra katrorë dhe të ardhurat nga paga dhe shpërblimet. Këto janë pasuritë e deklaruara, kapin vlerën 31 mijë euro në vit nga pagat dhe shpërblimet. 16 mijë euro nga shpërblimet dhe 15 mijë euro nga paga. Pra zoti Veliaj më shumë fiton duke udhëtuar jashtë vendit sesa duke ushtruar detyrën si kryebashkiak.
Nëse shohim pasurinë e familjarëve, aty do të gjejmë se ka asete në pasuri të patundshme dhe në llogari bankare të bashkëshortes. Pasuria e Xoxës, bazohet në kontratat e konsulencës, duke shërbyër në një zyrë ligjore, por edhe në një shtëpi botuese, ku ka qenë trashëgimtare. Ka deklaruar se ka trashëguar 200 mije euro nga babai dhe të ardhurat vjetore kapin vlerën 40-50 mijë euro në vit. Nga një llogari për vitin 2022, Xoxa ka gjeneruar të ardhura nga pagat, qira dhe të tjera, në vlerën 41,800 euro. 26 mijë euro kanë shkuar për depozitë bankare dhe pjesa e mbetur për të jetuar, pra shpenzon rreth 1250 euro në muaj.
Pasurinë më të madhe që kemi konstatuar është ajo e vëllait, Arbër Veliaj. Ai ble 10% të kuotave të Gogel për 100 euro. Kompania gjeneronte të ardhura 100 mijë euro në 2011 dhe fitonte 20-30 mijë euro.
Po të shohim ngjitja e kompanisë Gogel bëhet pasi Arbër Veliaj bëhet 100% aksioner i kompanisë dhe lidhet me karrierën politike të vëllait të tij. Gogel në vitin 2014, dyfishon xhiron në 230 mijë euro. Pastaj 430 mije euro. Nga viti 2016 deri 2022 xhiro mesatare 3 milion euro në vit dhe kulmon në 2023, me 8 milionë euro xhiro. Nëse i mbledhim janë afërsisht 32 milionë euro para të cilat ka xhiruar kompania Gogel shpk që zotërohet nga vëllai i Erion Veliajt. Pra 32 milionë euro xhiro në dhjetë vite. Nëse do të bënim një analizë do të kishim pikëpyetje, se si vetëm të afërmit e njerëzve me pushtet kanë kompani të suksesshme. SPAK do të shohë klientët e kompanisë Gogel, nëse ata kanë konflikt interesi dhe janë përfitues të fondeve të Bashkisë së Tiranës.
Familjarët e Veliajt nuk mund të shkëputen dot nga zoti Veliaj në hetim. Vetëm nëse do të bënin një krim që nuk kishte lidhje me Veliajn, do të hetoheshin nga një prokurori rrethi. Ne kuptojmë që i dyshuar për afera korruptive, etj, është zoti Veliaj, por përfitimi pasuror është bërë përmes aseteve të familjarëve të tij.
Edhe ligji për deklarimin e pasurive, ka shumë hapësira ku mund të deklarosh të ardhura konfidenciale që nuk janë publike. Ka disa hapësira që nuk i dimë të gjithë pasuritë që zotërojnë. Por aq janë të detyruar të deklarojnë.