E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Veliaj reagon pas veprimeve të SPAK: Janë të mirëpritur!
Lajme

Veliaj reagon pas veprimeve të SPAK: Janë të mirëpritur!

Mbështes hetimin pasuror nga SPAK, mbështes prokurorët, nuk bie prè e shantazheve të disa mediave për përfitime të padrejta

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar lidhur me hetimin e nisur nga SPAK dhe sekuestrimin e telefonit të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap.

U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta.

Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve.

Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë.

Replikë: Veliaj dhe hipokrizia e përulur para dyerve të SPAK-ut

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka zgjedhur të luajë lojën e viktimës së gatshme për hetim, por me një theks të dukshëm të hipokrizisë. Nga njëra anë, ai quan “kolegë” prokurorët e SPAK-ut, dhe nga ana tjetër, bashkëshortja e tij lë hetuesit të presin për dy orë jashtë derës së banesës. Kjo kontradiktë flet qartë për një politikan që tenton të orkestrojë imazhin e një reformatori bashkëkohor, ndërsa vijon traditat e vjetra të arrogancës dhe manipulimit.

Deklarata e tij se nuk bën pjesë në “kastën e vjetër politike” është një tallje me inteligjencën e qytetarëve. Veliaj është në politikë që nga vitet 2000, një karrierë e mbushur me manovra, lidhje klienteliste dhe skandale që vetëm i kanë konfirmuar rolin e tij si një pjellë e po asaj kaste të vjetër që pretendon ta sfidojë. Fakti që ndjek një strategji më të sofistikuar komunikimi nga Berisha apo Meta nuk e bën më pak të paprekshëm nga akuzat për korrupsion dhe abuzim me pushtetin.

Deklaratat se është i hapur për hetime janë po aq bosh sa dhe videot e tij të stisura për mediat që i kontrollon. Nëse vërtet do të kishte respekt për drejtësinë dhe ligjin, nuk do të nevojitej një spektakël publik për të dëshmuar bashkëpunimin me organet hetimore. Pritja e dy orëve para derës së tij tregon gjithçka për të ashtuquajturin “bashkëpunim”.

Dhe mbi të gjitha, kjo ngjarje na kujton një fakt të hidhur: sa herë që drejtësia troket në dyert e të fuqishmëve, ata ose luajnë rolin e viktimës, ose përpiqen të glorifikohen si bashkëpunëtorë të ligjit. Por shqiptarët janë lodhur nga këto lojëra dhe kërkojnë vetëm një gjë – drejtësi reale dhe pa spektakël!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.