Vendimi/ Asnjë profesion i lirë jashtë TVSH nga zero, qeveria përfshin edhe …
Qeveria ka miratuar vendimin “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar ku përcakton mes të tjerash edhe një herë se profesionet e lira përfshihen në skemë nga qarkullimi zero.

“Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero. Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit” thuhet në pikën 2 të vendimit. 
Përplasja e qeverisë e avokatët
Më 29 dhjetor 2014, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014 ‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’” të ndryshuar. Në këtë vendim, në nenin 11 bëhen dy përcaktime, së pari që kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është qarkullimi prej 5 milionë lekësh në vit, përveç rasteve që përcaktohen në pikën 2 të nenit. Pikërisht kjo pikë përcakton një listë me të paktën 18 kategori që TVSH-ja u fillon nga zero pavarësisht xhiros.
“Personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë si dhe kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë, pavarësisht nga kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në është zero dhe të gjithë janë persona të tatueshëm të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit” thuhet në vendim.
Në korrigjimin që qeveria bëri vitin e kaluar, në vendimin 953, përcaktohet kufiri i ri minimal për regjistrimin në TVSH që është 2 milionë lekë, ndërkohë që profesionet e lira deklarojnë nga zero me përjashtim të avokatëve të cilët e fituan këtë të drejtë kur Dhoma Kombëtare e Avokatëve ankimoi ligjin në Gjykatën e Lartë. Në korrik, kjo e fundit vendosi për rrëzim të pjesshëm, duke i dhënë të drejtë avokatëve në ankesën e tyre. Në argumentin e Gjykatës rreshtoheshin disa pika, ku mes të tjerave fakti që Këshilli i Ministrave nuk ka kompetencën për të përcaktuar kategoritë që përjashtohen apo futen në TVSH, por vetëm përcaktimin e kufirit minimal.
Gabimin e bërë në vendimin e mëparshëm që u rrëzua pjesërisht nga Gjykata e Lartë, qeveria e korrigjoi në ndryshimet që i bëri ligjit për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” që ishte pjesë e paketës fiskale. Tashmë pika 2 e nenit 117, në ligjin për TVSH-në, është riformuluar duke i lënë atributet e përcaktimit të kategorive dhe kufirit Këshillit të Ministrave.
“Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në, rastet e përjashtimit apo kufiri minimal i regjistrimit për kategori të veçanta, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në ligj. Ky përcaktim i ri rrëzon argumentin e mbrojtjes së avokatëve në Gjykatën e Lartë. Ndaj avokatët qëndruan jashtë TVSH-së deri më 1 prill 2018 nëse kishin qarkullim më të vogël se 5 milionë lekë, por tashmë kanë nisur regjimin njëlloj si 16 grupet e tjera.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



