Vendimi/ Në 1 orë dhe mujore, si ndryshon paga minimale nga 1 Janari
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Financave për rritjen e pagës minimale.
Sipas vendimit, paga minimale rritet nga 24.000 mijë lekë në muaj, në 26.000 lekë. Në llogaritje orare, me vendimin e ri, paga minimale rritet në 149 lekë në 1 orë, nga 138 lekë në orë që është aktualisht me vendimin e Këshillit të Ministrave të 3 majit 2017.
Rritjen e pagës minimale në 26.000 lekë, e njoftoi edhe më herët ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj teksa prezantoi buxhetin për vitin e ardhshëm.
Vendimi
Faksimile e VKM-së së sotme, datë 26 Dhjetor 2018
Në vendimin e miratuar këtë të mërkurë nga këshilli i Ministrave dhe që i fillon efektet nga data 1 janar 2019, parashikohet:
“Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë.
- Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
- Paga bazë minimale orare të jetë 149 (njëqind e dyzet e nëntë) lekë.
- Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
- Vendimi nr.399, datë 3.5.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
- Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2019.
Faksimile e VKM-së së datës 3 Maj 2018 për pagën minimale, aktualisht në fuqi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



