Vendimi për mbylljen e TikTok në Shqipëri bën jehonë në mediat ndërkombëtare
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e mediave kryesore ndërkombëtare, të cilat kanë raportuar gjerësisht për këtë zhvillim. Media si Corriere della Sera, La Repubblica, The Guardian, Reuters, Bloomberg, TRT, si dhe portale në Serbi dhe Greqi, kanë ndjekur nga afër njoftimin e bërë sot (21 dhjetor 2024) nga kryeministri Edi Rama.
Shkak për këtë vendim është bërë tragjedia e ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, ku një 14-vjeçar humbi jetën në rrethana të ndërlidhura me përdorimin e TikTok. Kryeministri Rama njoftoi se nga janari 2025, qeveria do të zbatojë mbylljen e kësaj platforme për një periudhë njëvjeçare, duke bërë të qartë se ajo nuk do të jetë e aksesueshme nga asnjë moshë në territorin shqiptar.
Reagimi i mediave ndërkombëtare
Agjencia prestigjioze Reuters raportoi vendimin e qeverisë shqiptare, duke theksuar se kishte kontaktuar TikTok për një koment mbi situatën, por kompania kineze nuk i është përgjigjur ende kërkesës për reagim.
Ndërkohë, The Guardian dhe Bloomberg kanë vënë në fokus shqetësimet rreth ndikimit të platformave sociale tek të rinjtë dhe masat e marra nga qeveritë për rregullimin e tyre. Media italiane Corriere della Sera dhe La Repubblica theksuan se ky vendim është ndër më radikalët në Europë për një platformë sociale të kësaj natyre.
Një precedent në Europë?
Vendimi i qeverisë shqiptare përbën një precedent për Europën dhe është një reflektim i shqetësimeve në rritje rreth sigurisë së të miturve online. Shqipëria bëhet një nga vendet e para që ndërmerr një masë kaq drastike, duke përforcuar debatet ndërkombëtare mbi përgjegjësinë e platformave sociale në shoqëri.
Megjithatë, ky vendim pritet të nxisë reagime të ndryshme, si nga komuniteti i përdoruesve, ashtu edhe nga vetë kompania TikTok, duke ngritur pyetje mbi ndikimin që kjo masë do të ketë në përdorimin e teknologjisë dhe lirinë e aksesit në internet në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



