E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“VETTINGU  Bye bye “   SHPËTOI TAHIRI
Lajme

“VETTINGU Bye bye “ SHPËTOI TAHIRI

Kuvendi ka votuar sot lidhur me kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit.
Në përfundim të këtij votimi, kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit Tahiri është rrëzuar me 60 vota pro dhe 75 vota kundër.
PDIU ka votuar kundër këtij arrestimi. Ndërsa deputetët Tom Doshi dhe Saimir Tahiri, nuk kanë votuar. Tahiri është larguar nga salla para fillimit të votimit.
Më herët në Kuvend, kanë folur përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës, respektivisht Ulsi Manja dhe Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj ka thënë se opozita është pro arrestimit për t’i hapur rrugë shpërbërjes së këtij grupi kriminal. Alibeaj tha se paratë e drogës që Tahiri merrte nga grupi Habilaj u shpërndanë në fushatën elektorale të PS-së.
“Veprimtaria është e qartë, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një episod, janë muaj dhe vite, në dy deri në tre vite aktivitet kriminal. Janë 23 anëtarë të familjes kriminale. Ekzistojnë dëshmi që po provojnë lidhjen. Grupi kishte mbështetjen e Tahirit, pasi nuk ka pasur asnjë procedim ndaj tyre, u dha edhe makinën për trafik droge. Kuvendi nuk kompetenca të vlerësojë provat apo besueshmërinë. Kuvendi ka detyrë që deputeti të sigurojnë që të mos jetë peng i veprimtarisë si parlamentar. Nga analiza e prokurorisë konstatohet se kërkesa tregon kushtet ligjore për arrestin. Janë trafikuar rreth 4 ton kanabis në Vlorë në banesën e Kocerrit, përgjimet nga Italia, 1800 fletë ku rezulton përfshirja e Tahirit, ku përfshirë marrjen e shpërblimeve të paligjshme.”-tha Alibeaj.
Ndërsa, deputeti i PS-së, Ulsi Manja, paraqiti raportin e mazhorancës, ku shprehu qëndrimin e PS-së kundër arrestimit të Tahirit, pasi sipas tij kërkesa e prokurorisë është në kundërshtim me Konventën e të Drejtave të Njeriut.
“Organi i akuzës është i lirë të hetojë këdo. Raporti jonë e trajton kërkesën e Prokurorisë duke iu referuar strikt ligjit. Prokuroria thotë: Unë kam regjistruar tre procedime penale. Por Prokuroria e ka regjistruar procedimin penal pas publikimit në media të përgjimeve, ku përmendej emri i ish-ministrit”, tha Manja.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e ka quajtur të turpshëm vendimin e sotëm. Kryemadhi tha se sot Kuvendi u kthye në Parlamentin e Habilajve. Kryemadhi shtoi se ky votim ka vërtetuar fjalët e Habilajve, se mandatet u blenë me paratë e drogës.
“Votimi i sotëm vërtetoi se krimi e ka kapur mazhorancën, vërtetoi fjalët e Habilajve se 74 mandatet janë blerë me paratë e drogës dhe ky grup më duket si korporata e latifondistëve të hashashit ku secili ka një parcelë.
Mendoj se sot neve nuk na mbetet gjë tjetër veç t’u themi punë të mbarë të gjitha bandave, ku vetëm në 2017-ën janë kapur 23 tonë drogë, në Greqi 11 tonë drogë e sa e sa avione të tjerë janë ngritur në pista të vogla. Jam e bindur se shqiptarët janë të neveritur sesi krimi i organizuar dhe bandat drejtojnë vendin dhe të rinjtë shqiptarë do t’i thonë jo kapjes së institucioneve.”tha Kryemadhi.
Ish-Kryeministri Sali Berisha, në dalje të Kuvendit, para votimit, tha se Parlamenti është i pushtuar nga krimi.
“Kuvendi është i pushtuar nga Habilajt. 30 ton drogë në Itali, 300 milionë euro e shndërruan në narko-mazhorancë shumicën. Kjo është dita e turpit kombëtar të këtij parlamenti. Basha ka shprehur si iniciativë për heqjen e plotë të imunitetit, ne jemi plotësisht pro” deklaroi ai.
Drejtuesit e Fronit Opozitar e kanë cilësuar vendimin e mazhorancës ndaj imunitetit të Tahirit si një provë lakmuesi mbi vullnetin e mazhorancës për Reformën në Drejtësi dhe besueshmërinë e procesit të Vetting-ut më pas.
Me votimin e sotshëm, Reforma dhe Vetting-u duket se janë bërë kurban për imunitetin e Saimir Tahirit.
Në mënyrë indirekte, kjo është një fitore morale e opozitës pasi Edi Rama dhe mazhoranca e tij, kanë dalë zbuluar dhe janë diskredituar në mënyrë flagrante si “dashnorët” e dikurshëm të Reformës në Drejtësi, dhe sot si pengje të dosjes Habilaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.