Vettingu/Ndryshon roli i policisë gjyqësore
Mazhoranca fillon zbatimin e reformës në drejtësi, 8 ligje diskutohen në komisione, ndryshon roli i policisë gjyqësore
Mazhoranca fillon zbatimin e reformës në drejtësi, 8 ligje diskutohen në komisione, ndryshon roli i policisë gjyqësore
Mazhoranca qeverisëse ka filluar punën për zbatimin rigoroz të reformës në drejtësi. Përveç dhënies së godinës në shërbim të komisioneve të vetingut dhe mbështetjes financiare për pagat e stafit të këtyre organeve, këtë javë në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, do të nisë diskutimi i 8 projektligjeve që ka të bëjë me përmbylljen me sukses të reformës në drejtësi. Bëhet fjalë për ligje si ato për policinë gjyqësore, juristët, avokatët, shërbimin përmbarimor gjyqësor privat apo edhe Avokaturën e Shtetit. Me miratimin e këtyre ligjeve, reforma në drejtësi mund të quhet e mbyllur dhe në këtë mënyrë i hapet rrugë zbatimit të plotë të saj.
Ligjet në fjalë janë përfshirë në kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe nga e martë e ardhshme pritet që të diskutohen në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Mirëpo ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë këtyre viteve, këtë herë mazhoranca është e vendosur jo vetëm që ta bëjë realitet reformën në drejtësi, por ka vendosur që të ndryshojë procedurat në lidhje me shumë profesione të cilat janë të lidhur ngushtë me këtë reformë. Pra më konkretisht do të ndryshojnë procedurat për dhënien e licencës së profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë, ndërsa po ashtu do të rishikohen edhe procedurat sa i takon shërbimit përmbarimor gjyqësor privat në vend.
Nga ana tjetër, në lupën e qeverisë do të kalojë edhe ligji për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke ndryshuar procedurat edhe për këtë profesion. Megjithatë risia e qeverisë nuk ndalet këtu, ekzekutivi ka vendosur që të ndryshojë procedurat edhe për profesionin e juristit. Mësohet se të gjithë studentët të cilët mbarojnë Fakultetin Juridik me ndryshimet e reja në ligj, do t’u duhet të hyjnë në testim për të marrë licencën e juristit. Është e njëjta procedura si ajo e mjekëve, këta të fundit me ardhjen në pushtet të qeverisë socialiste, e kanë të detyrueshme të hyjnë në testim për të marrë më pas licencën e mjekut e duke i hapur rrugë ushtrimit të profesionit të tyre.
Roli i policisë gjyqësore
Që reforma në drejtësi të quhet e kompletuar, duhet që shumë ligje të rishikohen. Dhe për këtë arsye qeveria ka vendosur t’i japë përparësi rolit të policisë gjyqësore, duke bërë disa ndryshme në ligjin për këtë agjensi. Pra në Kuvend ka shkuar për tu diskutuar projektligji për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore, ku objekti i këtij projektligji është normimi i parimeve dhe rregullave për organizimin e shërbimeve dhe seksioneve të policisë gjyqësore, rregullat e ndarjes së punës lidhur me veprimtarinë e tyre hetimore, si dhe raportet me prokurorin dhe me organet e administratës së origjinës.
Mirëpo projekti i ri i ligjit për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore, synon të zgjidhe edhe disa probleme, si rindërtimin e rregullave që synojnë stabilitetin në detyrë të shërbimeve të policisë gjyqësore, sidomos të atyre të specializuara në sektorë të posaçëm të luftës ndaj krimit.Gjithashtu, projekti synon të lidhë karrierën e oficerit të PGJ edhe me mendimin pozitiv të prokurorit. Nga ana tjetër, projekti synon të disiplinojë mbrojtjen e hetimeve, duke vendosur rregulla më të forta për sa i takon raportimit të rezultatit të hetimeve vetëm para prokurorit kompetent. Ndërkohë projektligji synon të vendosë rregulla të tilla që oficeret që kryejnë funksione gjyqësore të kenë kohën e nevojshme për t’u fokusuar tek ato, pa lejuar që ata të ngarkohen me detyra të tjera që u kufizojnë kohën dhe energjitë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


