Video/Avokati arrestohet pse ka treguar të vërtetën
Video që nxjerr lakuriq: Prokurorin, Oficeren dhe Drejtësinë
Avokati Ulian Barjami është ndaluar vetëm për të mbrojtur klientin e tij dhe për të denoncuar manipulimin e provave, nga prokurori dhe policia. Kjo arrestim është i paligjshëm dhe përbën një precedent të rrezikshëm për gjithë profesionin e avokatëve në Shqipëri.
Video e regjistruar gjatë seancës, tregon qartë se avokati nuk ka ushtruar dhunë, nuk ka kanosur askënd dhe çdo fjalë e tij ishte pjesë e mbrojtjes profesionale. Kjo është prova më e qartë se ndalimi është një përpjekje për të mbuluar manipulimin e provave dhe për të intimiduar mbrojtjen ligjore.
Avokati Ulian Barjami, mbrojtësi ligjor i Maksim Suçit i cili ra në pranga gjatë një operacioni pranë Elbasanit pak ditë më parë, është arrestuar nga policia. Mësohet se Ulian Barjami u prangos pas
prokurori Gjergji Ceka e kallësoi për kanosje për shkak të detyrës.
Mësohet se në seancën gjyqësore të një dite më parë, Ulian Barjami ka kundërshtuar provat e paraqitura nga prokurori Gjergji Ceka, ndaj klientit të tij, Maksim Suçi. Ky i fundit njihet si i besuari i Emiliano Shullazit.
Prokurori Ceka, i irrituar nga ky deklarim, replikoi me avokatin Barjami duke i thënë: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”
Barjami ka deklaruar gjatë seancës se provat ndaj Suçit janë të falsifikuara dhe se do të depozitojë një kallëzim kundër prokurorit të çështjes. Këtu ka nisur edhe përplasja mes palëve ndërsa tashmë ka reaguar edhe Dhoma e Avokatisë.
Avokati Ulian Barjami ka vepruar saktësisht brenda detyrës së tij profesionale, duke mbrojtur klientin dhe duke denoncuar manipulimin e provave nga prokurori dhe policia. Çdo veprim i tij ishte i ligjshëm dhe i domosdoshëm për të garantuar të drejtën e klientit për mbrojtje të drejtë dhe për të zbardhur realitetin e fakteve.
Kërcënimi i hapur i prokurorit Gjergji Ceka në sallën e gjyqit, ndalimi arbitrar nga policia dhe ndërhyrja e gjyqtares Megi Strakosha që u duk si intimidim, nuk janë drejtësi, janë një skandal i hapurqë cenon lirinë e shprehjes, integritetin e avokatit dhe besimin publik në sistemin gjyqësor.
Avokati Barjami nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka mbrojtur detyrën dhe profesionin e tij, duke paralajmëruar kallëzim penal për shkeljet që ka konstatuar. Ai nuk frikësohet nga kërcënimet, dhe qëndrimi i tij është shembull i guximit profesional dhe i respektit për ligjin.
Ky rast është një alarm për të gjithë profesionistët e ligjit, askush, as prokuror, as polic, as gjyqtar, nuk mund të përdorë pushtetin për të ndëshkuar një avokat që vepron në mbrojtje të ligjit dhe klientit të tij. Solidariteti dhe mbrojtja e avokatit Barjami është mbrojtja e drejtësisë për të gjithë./ Arben Llangozi
Skandali vazhdon edhe në dhomat e sigurisë pranë Komisariatit Nr. 3
Situata e krijuar për avokatin Ulian Barjami dhe klientët e tij po merr përmasa edhe më shqetësuese. Pas ndalimit të paligjshëm, burime nga terreni konfirmojnë se shkeljet flagrante po vijojnë në mënyrë sistematike edhe në dhomat e sigurimit të Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, duke nxjerrë zbuluar një krizë të thellë brenda vetë sistemit të drejtësisë dhe sigurisë.
“Kjo është e papranueshme!”
Sipas dëshmive dhe materialeve audio nga seanca gjyqësore, në sallën e gjyqit i vetmi person i kërcënuar ka qenë avokati Uljan Barjami. Gjatë seancës, gjykatësja Megi Strakosha e ka kërcënuar me përjashtim, ndërsa prokurori Gjergji Ceka , i cili ishte kapur në flagrancë me prova që s’vërtetonin asgjë, ka shpërthyer në akuza dhe tone armiqësore ndaj tij.
“U bëre ti të na kapësh ne gafil… Ti duhesh arrestuar!” – ka ulëritur prokurori në sallë, ndërkohë që gjykatësja “shkumëzonte” në të njëjtin ritëm mllefi.
Shkaku? Një fjali e vetme e avokatit Barjami:
“Për prokurorin do të bëj kallëzim për ndjekje penale.”
Kjo deklaratë që është një e drejtë ligjore e çdo qytetari dhe profesionisti, është konsideruar “kanosje e gjyqtarit dhe prokurorit”, duke u përdorur si pretekst për arrestimin arbitrar të avokatit. Një proces i montuar në mënyrë të trashë nga Policia Gjyqësore e Elbasanit, që ka kaluar çdo kufi të abuzimit me detyrën.
“Tani, a doni ta shkrijmë fare avokatinë?!”
Ky rast është një poshtërsi institucionale dhe një alarm për ekzistencën e profesionit të avokatit në Shqipëri.
Nëse avokati mund të arrestohet pse bën detyrën e tij atëherë çfarë garancie ka më drejtësia?
“Shkrijeni më mirë avokatinë dhe këndoni vetë të pashqetësuar në sallat e gjyqeve ku montoni poshtërsira antinjerëzore!” – thuhet në reagimin e ashpër të kolegëve.
Avokatët kërkojnë që Dhoma Kombëtare e Avokatisë të ndërmarrë masa urgjente dhe drastike reagimi, përfshirë bojkot, kallëzime penale dhe protesta publike, derisa të ndalojnë praktikat që po shkatërrojnë çdo sens të shtetit ligjor.
Abuzim, arrogancë dhe dështim institucional
Kjo ngjarje ka ekspozuar hapur arrogancën dhe paaftësinë e disa prokurorëve e gjyqtarëve që abuzojnë me pushtetin e tyre.
“Nuk ua ka fajin avokati se jeni bryla në sallën e gjyqit, o prokurorë! Nuk e përjashtoni dot avokatin në kryerje të detyrës së tij, o gjykatës!” – theksohet me tone të forta nga komuniteti ligjor.
Avokati Barjami ka qenë në krye të detyrës, duke e ushtruar me durim, profesionalizëm dhe etikë. Prokurori, nga ana tjetër, kishte sjellë një video-prove që s’përmbante asnjë element që implikonte klientin e tij, por megjithatë tentoi ta përdorë si bazë për akuza të pabazuara.
“Çdo sekond e lirisë së tij të rrëmbyer në mënyrë banditeske do të duhet ta paguajnë ata që kanë firmën në këtë pisllëk! Ju duket kanosje kjo? Duhet ta paguani që t’ju duket prifti kapterr, jo kanosje!” – thuhet në një deklaratë të fortë nga mbrojtja.
Krizë morale në zemër të drejtësisë
Ky nuk është vetëm një rast individual – është simptomë e një sistemi të kapur nga arroganca dhe mungesa e llogaridhënies. Kur dhomat e sigurimit kthehen në vende vjedhjesh, kur prokurorët shpërthejnë në mllef, dhe kur avokatët arrestohen për fjalën e lirë, drejtësia nuk është më sistem, por teatër i frikës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



