VIDEO/ Fitore me nokaut, Prenga ‘i ul automatin’ boksierit amerikan
Mbrëmja e djeshme në Bally’s Atlantic City, SHBA, u shndërrua në një festë të vërtetë për dhjetëra shqiptarë që mbushën sallën për të mbështetur boksierin e talentuar Kristian Prenga.
Boksieri shqiptar regjistroi një fitore të frikshme me nokaut, duke mposhtur amerikanin Brandon Carmack në vetëm 1 minutë e 30 sekonda!

Me këtë triumf të shpejtë dhe brutal, Prenga ngjitet në kuotën 19 ndeshje të fituara me KO, duke forcuar statusin e tij si një nga puncher-at më të pamëshirshëm të peshave të rënda.
Që në sekondat e para, Prenga dominoi me teknikë të pastër, lëvizje precize dhe goditje shkatërruese, duke treguar menjëherë diferencën e madhe mes dy boksierëve. Carmack u rrëzua pa mundur të rikuperonte nga fuqia e goditjeve të shqiptarit.
Atmosfera në sallë u elektrizua, me tifozët shqiptarë në SHBA që shpërthyen në brohoritje dhe duartrokitje për bashkatdhetarin e tyre, duke e kthyer arenën e Bally’s Atlantic City në një mini-Shqipëri.
Kjo fitore jo vetëm e rrit rekordin mbresëlënës të Prengës, por e pozicionon atë gjithnjë e më fort si një prej emrave më premtues dhe më të rrezikshëm të boksit shqiptar në skenën ndërkombëtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



