Video/ Momente paniku në aeroportin e Malpensës
Një pasagjer i vë flakën sportelit të biletave
Momente të frikshme janë shënuar këtë mëngjes në aeroportin ndërkombëtar të Malpensës në Milano. Një shtetas afrikan, ende i paidentifikuar, shkaktoi panik pasi fillimisht theu monitorët e regjistrimit me një çekiç dhe më pas i vuri flakën kazanëve të plehrave pranë sportelit të biletave në Terminalin 1.
Sipas dëshmitarëve, incidenti ndodhi në pak minuta, duke krijuar tension dhe frikë mes udhëtarëve që ndodheshin në zonën e nisjeve. Menjëherë pas shpërthimit të kaosit, stafi i sigurisë ndërhyri dhe neutralizoi autorin, duke shmangur përshkallëzimin e situatës.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa zjarrfikësit arritën të shuajnë flakët pa lejuar përhapjen e tyre në ambientet e tjera të terminalit. Për pak minuta, disa nga procedurat e regjistrimit u pezulluan, por autoritetet aeroportuale konfirmuan se operacionet janë tashmë rikthyer në normalitet.
Policia italiane ka marrë në pyetje autorin e dyshuar dhe po heton motivet e këtij akti të dhunshëm.
Ngjarja vjen në një periudhë kur aeroportet europiane ndodhen në alarm të shtuar për sigurinë e pasagjerëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



