VIDEO/ Momenti kur Enis Vrapi shfaqet me kallash para Prokurorisë
Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e ndodhur më 23 Maj 2025, ku 42-vjeçari Enis Vrapi, i dyshuar me probleme të shëndetit mendor, alarmoi Policinë duke u shfaqur me një armë lodër në dyert e institucioneve. Pesë muaj më parë, ngjarja ishte raportuar si një ndjekje policore me aksidentim makinash.
Emisioni “FactCheck” në MCN TV publikon për herë të parë detaje të plota dhe një video ku Vrapi shfaqet me një armë kallashnikov në dyert e Prokurorisë së Tiranës. Hetimet më pas zbuluan se arma ishte lodër, por prangosja e tij u shoqërua me dëmtime materiale dhe plagosje të dy personave, përfshirë një polic.
Sipas videos, brenda perimetrit të sigurisë së Prokurorisë ndodhej një roje i kompanisë “Ilirian Guard”. Vrapi parkon fuoristradën e tij “Land Rover” në hyrjen kryesore, bllokon rrugën dhe del nga makina me armën në dorë, duke kërkuar nga roja të hapë derën. Refuzimi i rojes shkaktoi veprime të pakontrolluara nga ana e tij, dhe ai largohet me shpejtësi. Policia arriti ta kapë pas 45 minutash, por gjatë ndjekjes Vrapi përplasi dhjetë automjete dhe aksidentoi dy persona.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës:
“Rreth orës 09:00, shtetasi Enis Vrapi, 42 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka qëlluar me pistoletë lodër në drejtim të gjymtyrëve të poshtme të një mjeke të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ dhe ka tentuar të largohet me automjet. Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia ka ndërmarrë ndjekjen dhe ka kryer shoqërimin e tij. Gjatë tentativës për t’u larguar, 42-vjeçari ka përplasur tre automjete policie. Nga përplasjet u dëmtuan lehtë dy punonjës policie.”
Ngjarja nxjerr në pah tensionin dhe rreziqet që mund të lindin nga situata të ngjashme dhe ngre pyetje për menaxhimin e personave me probleme të shëndetit mendor në hapësirat publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



