Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ish-homologun e tij, Albin Kurti.
Ky takim është i tretë në axhendën e Ramës, pasi më herët takoi Fatmir Limajn dhe Vjosa Osmanin. Rama ka publikuar një video të shkurtër në facebook, teksa shihet të pritet nga Kurti në zyrën e këtij të fundit, por për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka munguar shtrëngimi i duarve mes tyre.
Kryeministrin Rama e shoqëron ministri në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, dhe këshilltari i tij Endri Fuga. Takimet që po zhvillon kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama në Kosovë, vijnë si rezultat i aktualitetit politik në vendin fqinj. Kujtojmë që Prokuroria Speciale ngriti aktakuza të rënda ndaj presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli. Ata akuzohen për krime lufte, tortura ndaj njerëzve të pambrojtur, zhdukje trupash etj.
Pas Kurtit kryeministri Rama u prit dhe nga kreu i qeverisë së Kosovës Avdullah Hoti, e më pas do të takojë dhe presidentin Hashim Thaçi.




