VIDEO/ Zbulohet arsenali i armëve në Fushë-Krujë
Shpallet në kërkim një 49-vjeçar
Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të gjerë në zonën e Fushë-Krujës, ku është zbuluar dhe sekuestruar një arsenal i konsiderueshëm armësh shpërthyese, armësh zjarri, municionesh luftarake si dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar si Cannabis Sativa.
Aksioni u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Tracking”, ndërsa në kërkim është shpallur një 49-vjeçar me inicialet Y.Z., i dyshuar si posedues i materialeve të sekuestruara.
Gjatë kontrollit në fshatin Zall, pranë banesës së tij, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë gjetën dhe sekuestruan si prova materiale: 24 kallëpe tritoli, 11 granata dore sulmuese, lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore dhe fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, si dhe 11 kallëpe dinamiti. Po ashtu u sekuestruan 27 djegore, 3 armë zjarri me krehra dhe pjesë përbërëse, 2 silenciatorë, rreth 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 6 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet paraprake tregojnë se 49-vjeçari dyshohet të jetë poseduesi i këtij arsenali. Policia po vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa në bashkëpunim me Prokurorinë po hetohet për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e mëtejshëm të veprimeve ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



