Ky është 34-vjeçari i arrestuar për ‘arsenal lufte’ në ‘Myslym Shyri’
Personi që shihni në foto është Eugert Sino, 34-vjeçari i arrestuar në zemër të Tiranës, pasi policia zbuloi një arsenal armësh që, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se do të përdorej për ngjarje kriminale.
Operacioni policor i koduar “The Van” u zhvillua në zonën e “Myslym Shyrit”, ku forcat e rendit ndaluan furgonin e Sinos dhe gjetën një sasi të jashtëzakonshme armësh, municionesh dhe pajisjesh të sofistikuara.
Në total u sekuestruan:
-
12 armë zjarri pistoleta të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-
6 armë automatike;
-
5 armë me tytë të gjatë, të pajisura me shënjestër optike (të ngjashme me snajperë);
-
1 silenciator;
-
17 krehra municioni dhe 15 mijë fishekë;
-
17 kuti me pranga të ngjashme me ato të Policisë;
-
12 celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë;
-
Pajisje elektronike gjurmuese (GPS), aparatura për bllokimin e valëve dhe numërues parash;
-
Si dhe 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të policisë shqiptare.
Burimet hetimore thanë se arsenali dyshohet të jetë trafikuar nga Kosova dhe mendohet se ishte në shërbim të një grupi kriminal me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel.
Përveç furgonit, policia zbuloi edhe bazën ku ruheshin armët, gjithashtu në zonën e “Myslym Shyrit”, duke e konsideruar këtë si një ndër kapjet më të mëdha të viteve të fundit në kryeqytet.
34-vjeçari Eugert Sino rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa përveç tij janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në të njëjtën veprimtari kriminale.
Hetimet vijojnë për të zbuluar destinacionin final të armëve dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë, ndërsa pista kryesore e hetuesve lidhet me përgatitjen e ngjarjeve të rëndë kriminale në kryeqytet.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



