Vinin baste sportive në lokal, arrestohen 3 persona në Tiranë
Një operacion policor i zhvilluar në Tiranë ka goditur një tjetër rast të ushtrimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, duke çuar në prangosjen e tre personave, mes tyre edhe pronari i një lokali.
Aksioni, i koduar “Koeficienti”, u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas një serie kontrollesh dhe hetimesh operative për evidentimin e aktiviteteve të paligjshme në këtë fushë.
Në pranga ranë shtetasit E. B., 65 vjeç (pronari i lokalit), E. Zh., 36 vjeç dhe O. D., 26 vjeç, ndërsa u procedua në gjendje të lirë edhe një kamerier 17-vjeçar.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë operacionit u konstatua se në një lokal në Rrugën e Dibrës, pronari, dy klientë dhe kamerieri i mitur ushtronin baste sportive në mënyrë të paligjshme, duke përdorur telefona celularë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve dhe ndjekjen e mëtejshme ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



