E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Vithet” e Ballukut tensionojnë Kuvendin, Berisha: Po sikur të thoja “dollapë”?
Politikë

“Vithet” e Ballukut tensionojnë Kuvendin, Berisha: Po sikur të thoja “dollapë”?

Seanca parlamentare e sotme u përfshi nga tensione të forta dhe përplasje të drejtpërdrejta mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përdori një shprehje të ashpër ndaj ministres Belinda Balluku gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Debati shpërtheu në momentin kur Berisha, duke folur për çështjen e Ballukut, deklaroi se deputetët e Partisë Socialiste po “mbrojnë vithet e Belindës”. Menjëherë pas kësaj, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, i ndërpreu fjalën dhe theksoi se një gjuhë e tillë nuk mund të tolerohej në sallën e Parlamentit.

“Sa të jem unë kryetar Kuvendi, nuk mund të lejoj gjuhë të tillë,” u shpreh Peleshi, duke i hequr fjalën Berishës dhe duke ia kaluar atë më pas kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Ndërhyrja e Peleshit mjaftoi që deputetët e opozitës të ngriheshin nga vendet dhe të zbarkonin drejt foltores së Kuvendit, duke rritur tensionet në sallë dhe duke sjellë për disa minuta kaos parlamentar.

Më pas, Berisha mori sërish fjalën për të sqaruar shprehjen e përdorur, duke theksuar se socialistët po reagojnë në mënyrë të ekzagjeruar. Ai tha se fjala “vithet” ishte ndër më të përzgjedhurat që mund të përdorte dhe ironizoi reagimin e mazhorancës, duke shtuar se mund të kishte përdorur edhe terma të tjerë.

“Ju që u tërbuat për një fjalë që ishte nga më të përzgjedhurat në gjuhën shqipe. Po sikur të thoja ‘dollapët’, çfarë do thonit ju? Mos u bëni histerikë. Po mbroni hajdutët,” u shpreh Berisha nga foltorja e Kuvendit, ndërsa akuzoi qeverinë për korrupsion dhe bëri thirrje për reagim qytetar.

Replikë e ashpër erdhi edhe nga deputetja socialiste Sara Mila, e cila iu drejtua Berishës me tone të forta, duke e akuzuar për tensionim të vazhdueshëm të politikës shqiptare ndër vite. Gjuha e përdorur nga ajo u konsiderua e papërshtatshme nga drejtuesi i seancës, i cili i tërhoqi vëmendjen për etikën parlamentare.

Seanca e sotme në Kuvend u karakterizua nga debate të forta dhe përplasje të vazhdueshme, duke reflektuar klimën e tensionuar politike dhe konfliktin e hapur mes mazhorancës dhe opozitës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.