E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vjen drita jeshile, KE-ja drejt heqjes së masave ndaj Kosovës
Bota

Vjen drita jeshile, KE-ja drejt heqjes së masave ndaj Kosovës

Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e lehtësimit të masave ndaj Kosovës, duke planifikuar heqjen e rreth 50 për qind të tyre. Në terma financiarë, kjo do të thotë zhbllokimi i afro 200 milionë eurove nga fondet që aktualisht janë të ngrira. Ky vlerësim vjen pas transferimit të pushtetit lokal në veriun e Kosovës dhe pritet të reflektohet edhe në konkluzionet që ministrat e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë dhe potencialisht miratojnë të martën në Bruksel, në kuadër të debatit për procesin e zgjerimit, sipas burimeve diplomatike të cituara nga mediat në Kosovë.

Në draftin e konkluzioneve thuhet se Këshilli i BE-së rikonfirmon qëndrimet e tij të mëparshme dhe mirëpret heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës. Megjithatë, formulimi mbetet i përgjithshëm dhe nuk jep detaje konkrete mbi afatet apo mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.

Sipas burimeve diplomatike, ndonëse ekziston pëlqimi politik i Këshillit, vendimmarrja praktike për heqjen e masave i përket Komisionit Evropian. Pikërisht ky institucion do të ketë rolin kyç në përcaktimin e hapave të mëtejshëm.

Ndërkohë, brenda BE-së ka edhe divergjenca. Disa shtete anëtare shprehen kundër heqjes së menjëhershme të masave para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke mbështetur një qasje graduale. Në anën tjetër, shumica e vendeve të unionit favorizojnë heqjen e plotë dhe të menjëhershme të tyre. Ekziston gjithashtu mundësia që konkluzionet të mos miratohen fare, për shkak të çështjeve të tjera të përfshira në dokument.

Në pjesën që lidhet me Kosovën dhe Serbinë, BE-ja pritet të shprehë shqetësim për mungesën e progresit në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut. Nga Prishtina kërkohet nisja e procesit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi pritet të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës, të ndalë kundërshtimin ndaj anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe të ndërmarrë hapa konkretë për nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve për dhunën e vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj trupave të KFOR-it, mediave dhe qytetarëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.