Vllaznia gjen akordin me lojtarët për t’i rikthyer në stërvitje sot në orën 09:00
Katër ditë bojkot stërvitjes dhe më në fund vjen zgjidhja. Në ditën e Fiter Bajramit, Vllaznia gjen akordin me lojtarët për t’i rikthyer në stërvitje sot në orën 09:00. E shtuna dhe e diela kanë qenë shumë intensive, derisa futbollistët vendosën unanimisht të pranojnë garancinë që u dha për anën financiare, por jo vetëm, kryebashkiakja Voltana Ademi.

Por çfarë u tha në takimin e së shtunës në bashki dhe çfarë ndodhi të dielën? “Panorama Sport” zbardh të gjitha prapaskenat që e bënë skuadrën të kthehet sot në fushën e stërvitjes.
TAKIMI DHE ZGJIDHJA
“Ju keni të drejtën tuaj për ato që pretendoni, por ju lutem të na jepni pak kohë për ta zgjidhur këtë situatë. Premtimi im është që do të merrni ato që ju takojnë, por kthehuni sa më parë në stërvitje, sepse ky është një dëm i madh për imazhin e klubit. Bëjeni për mua, sepse përpara datës 3 qershor, kur rinisni kampionatin, do të kalojmë pagat”. Kështu mësohet të ketë thënë kryebashkiakja para “senatorëve” të Vllaznisë dhe stafit teknik në takimin e së shtunës.
Këta të fundit kanë kërkuar garanci absolute nga klubi dhe në të njëjtën kohë i kanë bërë të ditur Ademit se do të jepnin përgjigje përfundimtare nëse pranonin këtë propozim të dielën. Kësisoj, dje futbollistët u rimblodhën në Shkodër dhe pasi u konsultuan me njëri-tjetrin, lajmëruan drejtuesit se do të dalin në stërvitje, duke besuar te fjala e dhënë nga kryebashkiakja.

Por cilat ishin premtimet e tjera të Ademit? Burime në ekip tregojnë se kryebashkiakja ka dalë garante për kalimin e një page para datës 3 qershor, por duke lënë të hapur se mund të jepen edhe dy rroga direkt. Gjithashtu, pas urdhrit të saj, menjëherë drejtuesit kanë gjetur zgjidhje për banesat e futbollistëve të huaj dhe atyre që janë nga rrethet e tjera të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



