Voltana Ademi i përgjigjet Ulsi Manjës: E vërteta është se nuk jam…
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka përgënjeshtruar deklaratën e Kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili tha se Ademi nuk ishte paraqitur në seancën e sotme tek komisioni për shkak të angazhimeve.
“Voltana Ademi për shkak të angazhimeve nuk ka mundur të vijë në komisionin e ligjeve por ka sjellë materiale për buxhetin e 2020”, tha Manja.
Në një postim në facebook, Ademi shkruan se ajo nuk është ftuar në Komisionin e Ligjeve për të marrë pjesë, por pavarësisht kësaj Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka dërguar shqetësimet dhe objeksionet e saj lidhur me projektbuxhetin.
Postimi i Voltana Ademit:
E vërteta është një dhe e vetme: Voltana Ademi nuk është ftuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve! Nuk ka patur asnjë komunikim, të asnjë lloji në formën e ftesës për të marrë pjesë në mbledhje as si kryetare e Bashkisë Shkodër dhe as si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Por pavarësisht se nuk ka patur asnjë ftesë për kryetaren, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka dërguar shqetësimet dhe objeksionet e saj lidhur me projektbuxhetin.
Deklaratat e z. Manja janë thjesht gënjeshtra e rradhës, demagogji për të dizinformuar mediat dhe publikun. Nuk kanë asnjë lidhje me të vertetën.
Por, personalisht nuk çuditem aspak, sepse kjo mazhorancë edhe vetë Ulsiu e kanë të provuar tashmë se qëllimin e vetëm kanë gllabërimin e të gjitha pushteteve, institucioneve, duke përdorur edhe dizinformimin e publikut dhe mediave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



