Vranë kushëririn me çifte pas sherrit për pronën në Memaliaj, dënohen me 37 vite burg babë e bir
Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka dënuar sot me 37 vite burg Et’hem dhe Dino Muhajn, të cilët akuzohen për vrasjen e kushëririt të tyre Alket Muhaj. Ngjarja ndodhi më 6 shtator të 2018 në fshatin Rabije në Memaliaj, ndërsa si motiv ishte një konflikt për çështje pronësie. Babë e bir ishin në masën ‘arrest shtëpie’ pas vendimit të dhënë nga gjykata më 4 qershor të këtij viti, pasi kishin kaluar afatet e qëndrimit në paraburgim.
Vendimi është dhënë nga kryesuesja e seancës gjyqësore Blerta Cibuku, e cila i dha fund maratonës 3-vjeçare gjyqësore në ngarkim të personave të mësipërm. Seanca e fundit gjyqësore është mbajtur nën masa të rrepta sigurie duke parë se prezentë në dhënien e vendimit kanë qenë familjarë të dhe afërm nga të dy familjet. Më parë prokurori i çështjes Julijan Cafka në pretencën e tij, pati kërkuar nga 23 vjet burg për Et’hem dhe Dino Muhaj për kryerjen e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, nga 6 vjet burg për secilin për armëmbajtje pa leje dhe municione dhe nga 1 vit burg për mbajtje dhe prodhimit pa leje të armëve sportive dhe municioneve ku në total shkon nga 30 vjet burg për secilin. Por me aplikimin e nenit 55/1 të Kodit Penal për caktimin e një dënimi të vetëm Prokuroria e Gjirokastrës kërkoi nga 27 vite burgim për Et’hem dhe Dino Muhajn.
Pas shqyrtimit të të dhënave nga prokuroria dhe fjalës së mbrojtjes për të pandehurit, gjykatësja e çështjes Blerta Cibuku ka dhënë vendimin final për këtë ngjarje që tronditi në shtator të 2018 fshatin Rabije dhe mbarë zonën. Gjykatësja Cibuku ka dhënë 20 vjet burgim për Et’hem Muhon dhe 17 vjet burgim për të birin e tij Dino Muho.
GJIROKASTËR
Babai i Alket Muhaj, i vrarë më 6 shtator të 2018 në fshatin Rabije në Memaliaj ka reaguar pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Gjirokastrës, gjyqtarja Blerta Çibuku për dy autorët, babë e bir Et’hem dhe Dino Muhaj.
Babai akuzon gjyqtaren se i ka nxjerrë të pafajshëm për armëmbajtje pa leje, duke ngritur dyshime për ndërhyrje. Ai tha se gjyqtarja Blerta Çibuku e ka vrarë sërish siç i vranë kriminelët djalin e vetëm.
“Për mbajtjen e armëve zonja Blerta Çibuku i ka nxjerrë të pafajshëm. Po me ça e vrau? Vajti e pa zonja Blerta Çibuku me ça e vranë djalin tim.
Po bën i katërti vit ky, mua si nënë nuk më ka pyetur asnjëherë. Po na thoshin pusho, mos fol. Më ka vrarë zemrën e një nëne ashtu siç vranë ata kriminelë djalin e vetëm, më ka vrarë dhe Blerta Çibuku. Me ça e vranë ata, me gisht, apo pati ndërhyrje Blerta Çibuku”, tha nëna e viktimës Deko Muhaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



