Vrasësi me pagesë, zbardh krimet e grupit kriminal të Laert Haxhiut, ja vrasjet brutale që tronditën vendin
Laert Haxhiu, i riu nga Lushnja që rezulton i arrestuar në Greqi, së fundmi është kthyer në një nga personat më të rrezikshëm në vend.

Për të dhe në emër të tij janë faturuar të paktën 17 krime të rënda, që janë zbuluar nga krahu i djathtë i tij, Artan Tafani. Ky i fundit u pikas teksa kreu një grabitje me armë në një dyqan këmbimi valutash në zonën e “Astirit” në Tiranë më 24 qershor 2023. Ai u arrestua në Lushnjë dhe më pas ai nisi të tregojë bëmat në lidhje me një mori vrasjesh, plagosjes, kanosjesh, grabitjesh e deri te një mori vëniesh tritoli.
Rrëfimi i Artan Tafanit ka bërë që policia e Shtetit të sjellë në pranga dhe të dokumentojë të gjitha krimet e treguara prej tij, ndërsa Tafani rezulton të jetë një nga personat më aktiv në bandën e re të Lushnjës, ajo që në fakt ka përgjakur Lushnjën prej vitesh.
Ishte kryepolici i vendit, Muhamet Rrumbullaku që doli dhe dha të dhënat e operacionit të bujshëm, duke listuar akte kriminale dhe autorë sulmesh por pa treguar në asnjë rast se përse ishin vrarë ata persona, pasi në rrëfimin e tij, i penduari i drejtësisë duhej të ketë rrëfyer edhe motivin e gjithë atyre krimeve të ndodhura në harkun kohor të një viti.
TË DHËNAT POLICORE
Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit u bë me dije se: Gjatë këtij megaoperacioni u zhvilluan hetime me profesionalizëm dhe në ruajtje të plotë të sekretit hetimor, ndërthurur me rritje të forcës reaguese për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të kërkuar, me rrezikshmëri shoqërore, si dhe u bashkëpunua me agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, punë e cila solli si rezultat zbardhjen e 6 vrasjeve, 5 rasteve të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 2 rasteve të vjedhjes me dhunë, 3 rasteve të sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, 1 rasti të kanosjes së punonjësve të Policisë (ngjarje këto të ndodhura në disa qytete të vendit), si dhe zbardhjen e 2 vrasjeve të kryera në Greqi.
Bazuar në provat e siguruara nga ky megaoperacion, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka lëshuar 15 urdhra ndalimi, nga të cilat 12 janë ekzekutuar, ndërsa 3 shtetas janë shpallur në kërkim.
PËR NGJARJET E NDODHURA:
Më datë 17.10.2021, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal nr. 1559, të vitit 2021, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nga studimi i akteve hetimore mbi procedimet penale të vrasjeve të mëposhtme, nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Elbasanit, në drejtimin e prokurorëve të çështjeve, ka rezultuar se: Më datë 17.10.2021, rreth orës 10:00, në lagjen “Çezmë”, Peqin është vrarë me armë zjarri shtetasi Alban Semaku alias Elton Mermali.
Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë procedim penal, si deklarime, këqyrje e pamjeve filmike, përgjime telefonike dhe ambientale, si dhe bazuar në provat materiale të gjetura në vendin e ngjarjes, është identifikuar si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje shtetasi Artan (Marjus) Tafani, banues në Lushnjë, 39 vjeç. Gjithashtu, nga hetimet e kryera me metoda speciale të hetimit, dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka kryer disa ngjarjeve të rënda kriminale (vrasje, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me dhunë, sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje), të kryera në periudhën kohore 2021-2023, në disa qytete të ndryshme të vendit si Elbasan, Tiranë, Lushnjë, Tepelenë, Korçë dhe Durrës!
Më poshtë gazeta Panorama liston krimet e ndodhura në vendin tonë, të cilat shpejtë mbuloheshin me harrimin e autoriteteve përkatëse të cilat duhej të vijonin hetimin, ndërkohë që grupi kriminal prej më shumë se 15 personash vrisnin këdo që kishin pikasur për të eliminuar!
VRASJA E ÇAJUP SELIMIT
Ishte mbrëmja e 1 qershorit kur biznesmeni i njohur i miellit, Çajup Selimi del nga shtëpia e tij pasi dikush i thirri. Sapo zbret në katin e dytë, një person i maskuar e qëllon me dy plumba duke i marrë jetën. Biznesmeni ndërroi jetë në vend, ndërkohë që policia nisi kërkimet për atentatorët.
Persona që dëshmuan fillimisht për policinë treguan se kanë qenë dy persona, njëri ishte ngjitur në godinë dhe tjetri e priste përjashta. Ata u larguan në drejtim të paditur deri sa i penduari i Lushnjës dëshmoi autorësinë. Mirëpo, ajo që bie në sy në këtë ngjarje të pazbardhur nga policia dhe prokuroria lokale është fakti se 7 vjet më parë ishte shoqëruar i njëjti person që u arrestua në operacionin e fundit.
Në vitin 2018, Selimi u sulmua brutalisht me leva hekuri. U arrestua Erisiano Abedini, aso kohe 27 vjeç, por u la i lirë. Tashmë ai akuzohet se ka bashkëpunuar në vrasjen e Selimit në bashkëpunim me grupin e Laert Haxhiut!
VRASJA E FRIDMAN XHAFERAJT
Me 13 qershor të dy viteve më parë u tha se në një rezervuar në Korçë ishte gjendur një person i pajetë. Trupi u çua në morg dhe iu nënshtrua ekspertimit mjeko-ligjor dhe rezultoi se viktima kishte më shumë se një javë i vrarë. Ishte dhunuar barbarisht dhe ishte hedhur në atë pus uji. Policia dhe familjarët identifikuan kufomën dhe u tha se bëhej fjalë për Fridman Xhaferrajn, nga Plugu i Lushnjës, 25 vjeç, i sapo liruar nga burgu dhe që duhej të ishte në arrest shtëpie.
Konkretisht mjekët-ligjor parashikuan se viktima ishte vrarë me 2 qershor dhe madje ishte vrarë në një vend tjetër dhe ishte hedhur aty. Hetimet, kërkimet dhe dëshmitë e çuan policinë tek një person i dyshuar me emrin Lulzim Spahiu, 26 vjeç, emri i të cilit listohet tashmë si një nga ushtarët më të bindur të Laert Haxhiut.
Haxhiu, sipas policisë në bashkëpunim me një tjetër shtetas, emri i të cilit nuk figuron në listën e të penduarit, i kishin marrë jetën Xhaferrajt për prishje pazaresh të drogës. Ngjarja u la në harresë!
VRASJA E ELTON MERMALIT (KINEZI)
Mëngjesin e 17 tetorit të vitit 2021 tregtarët e Peqinit, në anë të lumit shquajnë një trup të pajetë. Lajmërojnë policinë e madje tregojnë se kufomën nuk e njihnin, çka ngjalli dyshime se nuk ishte i atyre anëve. Grupi i ekspertëve shkoi në vendin e ngjarjes dhe pa se aty nuk kishte asnjë shenjë plumbash e për pasojë u rrit dyshimi që trupi ishte sjellë nga një vend tjetër.
Pas identifikimit nga nëna e tij, u bë me dije se viktima ishte Elton Mermali. Për të gjithë emri i tij ishte mbartës i historive mizore të asaj që u quajt Banda e Lushnjës, ndërsa Mermali kishte vetëm pak muaj që kishte dalë nga burgu. Ekspertët e Mjekësisë-Ligjore thanë se viktima ishte vrarë një natë më parë. Madje ai ishte rrëmbyer mu në mes të Lushnjës, më pas ishte ekzekutuar dhe ishte hedhur buzë lumi në Peqin.
Kushdo që e njeh sado pak historinë e përgjakshme të Lushnjës dhe hasmërive lushnjare, mendoi se autor ose financues i atij krimi ishte Laert Haxhiu, nipi i Bledar Haxhiut, ky i fundit i masakruar nga vetë Mermali. Por policia nuk kishte prova, as dëshmi, as pamje filmike dhe madje as dyshimet e arsyeshme për të shkuar të Haxhiu i përfolur si “kryekilleri” më i ri i Lushnjës.
VRASJA E ALBI BASHALIUT
Paraditen e 27 dhjetorit të 2021, dy persona qëllojnë me armë mbi Albi Pashaliun, teksa ky i fundit po dilte nga automjeti i tij para një lokali. I riu, i cili nuk njihej për precedentë të mëparshëm penal ndërroi jetë në vend, ndërkohë që autorët e sulmit, që u tha se ishin dy persona, tentuan të largohen me mjetin që kishin ardhur. Makina nuk iu ndezi e për pasojë, morën makinën e viktimës dhe e braktisën më vonë në Gosë të Kavajës.
Policia menjëherë hodhi dyshimet në një hakmarrje për shkak se vëllai i tij kishte vrarë rreth 6 muaj më parë një person në të njëjtën zonë. Sherri u tha se kishte ndodhur për një gërvishtje makine.
Por më vonë policia vuri në pranga djalin e xhaxhait të viktimës dhe një person tjetër, emrat e të cilëve në fakt nuk rezultojnë të jenë të akuzuar nga policia të bazuar në rrëfimin e të penduarit lushnjar.
PLAGOSJA E KUJTIM METËS
Pasditen e 20 prillit të një viti më parë u bë me dije se një person u plagos në një lokal në qendër të qytetit. Një djalë i masakruar hyri në kafenenë ku ishte i ulur Kujtim Meta dhe e qëlloi me dy plumba. Në lokal gjendej në atë moment vetëm pronari i cili dëshmoi për policinë të dhëna konkrete në lidhje me ngjarjen por asnjëherë nuk u bë e mundur të identifikohen autorët.
44-vjeçari mundi të mbijetonte, ndërkohë që u tha se autori kishte ngatërruar shënjestër. Meta në dëshminë e tij nuk tha ndonjë të dyshuar për shkak se ai mendonte se nuk kishte probleme me askënd e për pasojë autori që iku në këmbë, i ndihmuar më pas nga një person me makinë, nuk u gjend deri sa dëshmoi lushnjari i penduar i bandës së Laert Haxhiut!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



