Vrasja e biznesmenit italian, autori: Ata më dhunuan të parët!
48‑vjeçari Kamber Sulçe ka deklaruar se ndodhej vetëm në automjet, kur u përfshi në një konflikt për shkak të dritave të gjata të makinës me Gazment Braçin dhe personat që shoqëronin atë. Sulçe pretendon se ata e kanë sulmuar dhe qëlluar të parët, më pas, ai është larguar me makinë, ka marrë një armë dhe ka nisur të qëllojë.
Sipas deklaratës së tij, ai ka qenë i dehur në momentin e ngjarjes. Ai gjithashtu solli në polici një dëshmitar që kishte konsumuar alkool me të atë natë dhe që ka konfirmuar se Sulçe, në gjendje të dehur, shpesh humb kontrollin. Policia e mori me rezerva këtë dëshmi, pasi nuk është provuar që pala tjetër e përfshirë, ta kishte sulmuar apo qëlluar me armë.
Identifikuar nga policia si person problematik në zona të konsumit të alkoolit, Sulçe u shpall në ndjekje dhe gjatë kësaj periudhe u fsheh në stane në male.
Si u zhvillua ngjarja?
Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, sipas hetimeve, u krye në orët e para të mëngjesit të 27 tetorit, në fshatin Salari. Eduardo Sarchi dyshohet të jetë qëlluar pasi u mbajt për rreth 20 minuta nën presion së bashku me miqtë e tij.
Në dosjen hetimore, thuhet se Sulçe ka qëlluar fillimisht në ajër dhe më pas drejtuar armën ndaj biznesmenit dhe tre miqve të tij. Një plumb e kap Eduardo Sarchin në kofshë, duke dëmtuar arterien kryesore dhe shkaktuar vdekje të menjëhershme.
Ngjarja nis me një përplasje për dritat.
Djali i ortakut të Sarchit dhe miqtë e tij, duke udhëtuar me fuoristradë, kishin ndezur fenerët përpara, ndërsa Sulçe po kalonte me kamionçinë e tij me drita “gjata”, të cilat sipas tij ishin në funksion për transport të depozitës së tij për tek stani i tij.
Rreth orës 22:30, pyetja që ndezi debatin ishte: “Pse i ndeze dritat?!”
Njëri prej miqve të Braçit zbriti dhe ofendoi Sulçen. Ai u prezantua me emër, duke thënë se vinte nga Vlora dhe qëndroi i palëkundur. Më pas iku. Rreth 10 minuta më vonë, makina e tyre ndaloi në një kodër për shkak të karburantit. Gazmend Braçi telefonoi babanë e tij, Eqerem Braçi, i cili bashkë me biznesmenin italian shkuan për t’iu ardhur në ndihmë.
Ndërkohë, Sulçe shkoi të merrte armën e gjatë që përdoret për gjueti. U kthye në vendin e konfliktit, por i rinjtë ishin zhvendosur rreth 100 metra më larg. Ai nisi të qëllonte në ajër, duke sharë dhe kërkuar sqarim. Pas pak, filloi të qëllojë drejt tyre nga distanca. Të shtënat kanë zgjatur rreth 20 minuta.
Çasti fatal erdhi kur ai hapi zjarr drejt “Range Rover”-it. Fishekët kapën gomat në anën e pasagjerit. Kur automjeti tentoi të largohej, plumbi që preku kofshën e biznesmenit italian dëmtoi arterien, duke shkaktuar hemoragji masive dhe vdekjen e menjëhershme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



