Vrasja e dy shqiptarëve në Greqi, flet 31-vjeçarja që mbeti e plagosur
Në vrasjen e Kreshnik Çerçizajt, 41 vjeç dhe Armando Organjës, 44 vjeç në një lokal në sheshin Nea Zmirni në Athinë të Greqisë, mbeti e plagosur edhe një vajzë në pjesën e këmbës. Fatmirësisht ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën.
Atentati i agresorit, identiteti i të cilit nuk dihet ende, ndodhi gjatë orarit kur luhej ndeshja Argjentinë-Francë për finalen e Kupës së Botës. 31-vjeçarja u plagos nga plumbat “qorr” të autorit, i cili qëlloi me breshëri pistolete në drejtim të dy viktimave.
E reja ka folur për “Protothema”, ku ka treguar tmerrin e atyre momenteve dhe veprimet e saj që dukeshin të parëndësishme, por në fund rezultuan t’i kishin shpëtuar jetën. Ajo tregon se ndodhej në tavolinën mbrapa Çerçizajt dhe Ogrenjës.
“Isha me motrën time në lokal, pikërisht pas tavolinës ku ishin ulur dy burrat, të cilët kanë vdekur. Ishim në këmbë dhe po flisnim me pronarin e lokalit. Isha kthyer me kurriz dhe nuk e pashë sulmuesin kur hyri. Kam dëgjuar të shtënat dhe kam parë panikun në sytë e të gjithëve.
Në fillim, nuk e kuptova se isha plagosur derisa pashë gjakun. Disa sekonda para se sulmuesi të hynte në dyqan, unë dhe motra ime ndërruam vendet. Përndryshe ajo do të ishte në pozicionin tim tani dhe për fat ne ishim në këmbë, përndryshe plumbi do të më kishte goditur në kokë”, ka thënë 31-vjeçarja.
Ndërkohë, policia e Greqisë vijon hetimet, teksa ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja dhe raportohet se kërkimet janë përqendruar në mafian shqiptare në Greqi. Sipas medieve greke, bëhet fjalë për një vrasës profesionist dhe me një eksperiencë të madhe.
Kjo vihet re nga përdorimi gati perfekt i pistoletës dhe me shumë mundësi ai është përfshirë edhe në atentate të tjera. Pra, të gjitha këto fakte të çojnë te vrasësi me pagesë. Mediet greke raportojnë se objektivi kryesor ka qenë Çerçizaj, pasi ai ishte i përfshirë në grupet mafioze, ndryshe nga Ogrenja, që rezulton person pa precedentë në Greqi.
Çerçizaj është dënuar për kontrabandë, drogë dhe grabitje në vendin fqinj. Mediat greke raportojnë gjithashtu se për këtë vrasje, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që të ketë lidhje me ekzekutimin e Edmond Papajt pesë ditë më parë në zonën e Selitës në Tiranë. Papaj ka qenë i dënuar për trafik droge në Greqi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



