Vrasja e “Gëçes”, goditet grupi i “paprekshëm” Hajrulla
Prokuroria e Posaçme dhe forcat speciale kanë zhvilluar një operacion në qytetin e Vlorës, ku që prej orëve të para të mëngjesit janë kryer kontrolle në zonën e njohur si “7 Pallatet Oslo”.
Aksioni vjen pas hetimeve të kryera nga SPAK, të cilat kanë zbardhur komunikime të përgjuara në platformën e koduar Sky ECC. Nga këto zbërthime, sipas burimeve hetimore, është goditur grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga Inez Hajrulla.
Në kuadër të operacionit janë lëshuar urdhër-arreste për Inez Hajrullën dhe Ervis Hajrullën, ndërsa hetimet kanë çuar edhe në zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale të ndodhura në qytetin bregdetar.
Ekzekutimi i Gentian Qarrit
Një nga ngjarjet që dyshohet se lidhet me këtë grup është edhe vrasja e Gentian Qarrit, e ndodhur mbrëmjen e 6 shkurtit 2021 në Vlorë.
Sipas hetimeve, autorët kanë qëndruar për rreth 10 minuta në pritje në zonë, derisa Qarri të dilte nga ambientet e një gomisterie pranë vendit të ngjarjes dhe të drejtohej drejt një lokali.
Pamjet filmike të sekuestruara nga prokuroria tregojnë se autorët ndodheshin në një automjet tip “Toyota Yaris”, i cili ka lëvizur pak çaste përpara se të hapej zjarri.
Në një moment pranë vendit ka kaluar edhe një automjet policie, çka i detyroi autorët të largoheshin përkohësisht dhe të riktheheshin pas pak minutash për të vijuar me planin e tyre.
Sipas hetimeve, ndaj Qarrit është qëlluar rreth 20 herë me armë zjarri, ndërsa gjashtë plumba e kanë goditur në trup. Nga pamjet e siguruara nga policia dyshohet se sulmi është kryer me automatik nga brenda makinës në lëvizje.
Gentian Qarri, i njohur në Vlorë edhe me nofkën “Gëçe”, ishte kthyer në Shqipëri rreth tre vite para vrasjes, pasi kishte vuajtur një dënim prej 11 vitesh burg në Itali për trafik droge.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



