E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykata jep vendimin për 3 të arrestuarit
Flash

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykata jep vendimin për 3 të arrestuarit

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, të dyshuarin kryesor për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit më 6 tetor.

Po ashtu, pas hekurave do të qëndrojnë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, si bashkëpunëtor i dyshuar, dhe Banush Koxhaj, punonjësi i sigurisë që akuzohet për “shpërdorim detyre”.

Në dëshminë para togave të zeza, Koxhaj tentoi të justifikonte mungesën e kontrollit fizik ndaj autorit të dyshuar duke thënë:
“Në momentin që kaluan në skaner nuk kam qenë mirë me shëndet. Kam njoftuar kancelaren dhe i kam kërkuar pushim.”

Seanca ndaj tyre u zhvilluan nën masa të rrepta sigurie. Prokuroria e Tiranës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë.

Autori i dyshuar i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së dy personave të tjerë, Elvis Shkambi, 30 vjeç, do të përballet me tre akuza të rënda: “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve të përfshira, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Për sa i përket xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, Prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të veprës penale që i ishte referuar nga policia, duke e përjashtuar atë nga akuza për vrasjen e gjyqtarit. Organi i akuzës dyshon se Gjoni kishte dijeni vetëm për planin e nipit të tij për të goditur palën kundërshtare në procesin gjyqësor dhe madje ka dyshime të arsyeshme se ka qenë nxitës i atentatit ndaj babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, për shkak të një konflikti pronësor në Shkodër.

Ndërkohë, Banush Koxhaj, punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit, akuzohet për “shpërdorim detyre”. Prokuroria thotë se ai nuk ka reaguar kur detektorët kanë sinjalizuar praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në gjykatë, nuk ka kryer kontroll fizik dhe as nuk ka regjistruar emrat e tyre në librin e protokollit, duke lejuar kështu hyrjen e armatosur në sallën e gjyqit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.