Vrasja e Ilir Gjinit në Laç, gjendet një tjetër armë në vendngjarje
dyshime për disa persona të përfshirë në krim
Hetimet për vrasjen e Ilir Gjinit në Laç po nxjerrin në dritë elemente të reja që mund të ndryshojnë dinamikën e ngjarjes. Një tjetër armë zjarri është gjetur pranë vendit ku mbrëmjen e 9 korrikut u ekzekutua Gjini, në lagjen “Erdogan” të qytetit.
Gjatë kontrolleve të imtësishme në zonën e krimit, grupi hetimor ka zbuluar një revolver. Arma është sekuestruar dhe është dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore për ekspertizë balistike.
Zbulimi i armës së dytë ka shtuar dyshimet e hetuesve se në ngjarje mund të kenë qenë të përfshirë ose të pranishëm më shumë persona nga sa është menduar fillimisht.
Ekspertët pritet të përcaktojnë nëse revolveri është përdorur gjatë ngjarjes, kujt i përkiste dhe nëse mes personave të përfshirë ka pasur shkëmbim zjarri.
Në vendngjarje ishte gjetur më herët edhe një pistoletë, e cila gjithashtu është sekuestruar për ekspertizë. Sipas dyshimeve paraprake, ajo mund t’i ketë përkitur viktimës, por kjo mbetet për t’u konfirmuar nga hetimet.
Hetuesit verifikojnë praninë e personave të tjerë
Grupi hetimor është orientuar edhe nga deklarimet e personave të shoqëruar në polici pas vrasjes. Dyshimet janë se në vendin e krimit mund të kenë qenë të pranishëm persona të tjerë, përveç viktimës dhe autorit të dyshuar.
Po verifikohet nëse këta persona kanë pasur rol në konflikt, kanë ndihmuar autorin apo kanë dijeni mbi dinamikën e plotë të vrasjes.
Për krimin është shpallur në kërkim Emiljan Suti. Hetuesit dyshojnë se ai mund të jetë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar nga zona pas ngjarjes. Deri më tani, bashkëpunëtorët e mundshëm nuk janë identifikuar.
Konflikti para vrasjes
Sipas të dhënave të deritanishme, palët dyshohet se kanë pasur një konflikt verbal vetëm pak momente para vrasjes, pasi ishin pikasur në qendër të Laçit.
Ilir Gjini dhe familja Suti jetonin në të njëjtën lagje. Hetuesit po verifikojnë nëse shkak i krimit mund të kenë qenë konflikte të mëparshme mes tyre jashtë vendit, ndërsa po hetohet edhe mundësia e lidhjes së përplasjes me aktivitete kriminale.
Këto pista mbeten ende nën hetim dhe nuk janë konfirmuar përfundimisht nga organet e drejtësisë.
E kaluara e Emiljan Sutit
Emiljan Suti rezulton person me precedentë penalë. Ai është dënuar më parë me pesë vite burg për kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa rezulton të jetë arrestuar edhe në Belgjikë për vjedhje.
Rreth 15 vite më parë, Suti i shpëtoi një atentati pranë Komisariatit të Kurbinit. Në atë kohë kishte marrë leje për të dalë nga burgu, kur ndaj tij u qëllua me breshëri nga një automjet. Plumbat nuk e prekën.
Ai është vëllai i Gentian Sutit, një emër i njohur për policinë në zonën e Laçit. Mbi 15 vite më parë, dy vëllezërit janë dënuar respektivisht me pesë dhe katër vite burg pas një përplasjeje me armë, e cila kishte nisur pasi policia i kishte ndaluar për kontroll.
Kush ishte Ilir Gjini
Ilir Gjini ishte me origjinë nga Miloti dhe banonte në Laç. Sipas të dhënave të publikuara për të kaluarën e tij, ai ka përdorur edhe mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure.
Ndryshimi i mbiemrave dyshohet se lidhej me të kaluarën e tij problematike. Gjini rezulton i përfshirë në çështje që lidhen me vjedhje banesash në Itali, ku në vitin 2013 ishte arrestuar së bashku me vëllain.
Gjetja e armës së dytë ka hapur një pistë të re hetimore. Tashmë ekspertiza balistike pritet të tregojë nëse në Laç pati një ekzekutim të njëanshëm apo një përplasje me armë ku mund të kenë qenë të përfshirë disa persona.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


