Vrasja e Jani Aliajt, hetimet marrin kthesë të papritur
Vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhalo po merr zhvillime të reja, teksa autoritetet greke po rishikojnë skenarin fillestar të krimit.
Sipas burimeve hetimore, dyshimet janë përqendruar tashmë te Xhuliano Halili, 44 vjeç, me origjinë nga Tepelena, i dënuar me burgim të përjetshëm. Halili ndodhej në të njëjtin sektor me viktimën dhe në qeli ngjitur me të, një detaj që e vendos në qendër të hetimeve.
Ajo që ka shtuar më tej dyshimet është fakti se Halili rezulton i plagosur gjatë ngjarjes, ndërkohë që në vendin e krimit ai është i vetmi i dëmtuar fizikisht. Ky element ka ngritur pikëpyetje serioze mbi versionin fillestar të ngjarjes.
Fillimisht, përgjegjësinë për vrasjen e mori një i burgosur grek, 27-vjeçari Kristos Vardhuniotis, i cili u vetëdorëzua duke deklaruar se ishte autori i krimit. Megjithatë, hetuesit kanë konstatuar se në trupin e tij mungojnë shenjat e një përleshjeje, fakt që bie ndesh me pretendimin e tij.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se që në orët e para pas ngjarjes, brenda ambientit të burgut ka qarkulluar informacioni se autori real është Halili, ndërsa i burgosuri grek dyshohet se është detyruar ose është shpërblyer për të marrë përsipër fajin. Këto indicie kanë shtyrë policinë greke të thellojë hetimet dhe të verifikojë pistat alternative.
Paralelisht, sipas burimeve, emri i Jani Aliajt ishte përmendur ndër vite në dosje hetimore si person i dyshuar për lidhje me përplasjet e ashtuquajtura të “Mafias greke”, ndonëse këto dyshime nuk u konkretizuan kurrë në akuza zyrtare.
Nga ana tjetër, Xhuliano Halili, i njohur edhe me nofkën “Niko”, konsiderohet si një nga figurat më të rrezikshme të botës së krimit në Greqi. Ai vuan dënimin me burgim të përjetshëm për disa vrasje me pagesë. Në vitin 2011, në Kalamata, ai akuzohet se ekzekutoi Fillim Mesajan dhe djalin e tij të mitur, një ngjarje që sipas hetimeve ishte e porositur për larje hesapesh nga krimineli grek Vasilis Varelas.

Në vitin 2018, Halili arriti të arratisej nga Porti i Pireut gjatë një transferimi drejt burgut, por u kap pas disa orësh. Ndërsa në qershor të vitit 2024, brenda po të njëjtit burg të Koridhalos, ai dyshohet se vrau Alfons Ndocin dhe plagosi një tjetër të burgosur, në një atentat që mendohet të ketë qenë i porositur nga jashtë mureve të burgut.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet intensive për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes së Jani Aliajt dhe për të përcaktuar autorin e vërtetë të krimit, mes dyshimeve për manipulim të dëshmive dhe presione brenda burgut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



