Vrasja e Renis Dobrës, si u mor peng i riu para ekzekutimit
Si u zbulua krimi që tronditi Dibrën?
Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore për rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut 2025 në zonën e Shkopetit, në Mat. Informacionet janë bërë publike në dokumentarin e emisionit “Në Shënjestër” ku zbardhen lëvizjet e autorëve, automjetet e përdorura dhe pista kryesore e hetimit.
Sipas të dhënave operative, një nga automjetet e përfshira në rrëmbimin, mbajtjen peng dhe më pas vrasjen e Renis Dobrës ka qenë një “Range Rover” i zi, me targë AA 333 RM. Pas verifikimeve, policia konstatoi se mjeti ishte në pronësi të një subjekti që merrej me dhënie makinash me qira, “Rental C… O…”, me përfaqësues shtetasin B.V.
Nga kontrata e qirasë dhe pamjet filmike të siguruara, rezultoi se automjeti ishte marrë me qira nga 24-vjeçari Aleksandër Bushgjokaj, vëllai i Fation Bushgjokajt. Ky i fundit ishte paraqitur disa herë në pikën e dhënies me qira të automjeteve, duke marrë fillimisht një “Audi A4”, më pas një “Volkswagen Golf 7” dhe në fund një “Range Rover”, me çmim 105 euro në ditë.
Pas ngjarjes, personi që kishte kthyer mjetin kërkoi heqjen e GPS-it, duke pretenduar se makina ishte përdorur nga vëllai i tij në një grabitje. Kërkesa u refuzua nga administratori i kompanisë.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se mbrëmjen e 8 korrikut, rreth orës 22:02, tre automjete lëviznin njëra pas tjetrës: një “Range Rover” i zi, një “Hyundai Santa Fe” i bardhë dhe një “Mercedes Benz” ngjyrë ulliri, ky i fundit në pronësi të babait të viktimës, Rufat Dobra, dhe i drejtuar nga Renis Dobra.
Automjetet janë filmuar duke kaluar nga qyteti i Burrelit drejt rrugës së vjetër Milot–Burrel dhe më pas drejt zonës së Shkopetit. Në orën 22:39, “Hyundai”-i i bardhë dhe “Mercedes Benz”-i i Renisit janë kapur nga kamerat e një lokali pranë vendit ku më vonë u gjet e hedhur makina e viktimës. Pas këtij momenti, mjeti i drejtuar nga Renis Dobra humbet nga sytë e kamerave, ndërsa dy automjetet e tjera shihen të largohen në drejtime të ndryshme.
Në orën 23:30 të asaj mbrëmjeje, babai i viktimës, Rufat Dobra, u paraqit në Komisariatin e Policisë Mat, duke denoncuar zhdukjen e djalit të tij. Ai deklaroi se Renisi ishte larguar nga shtëpia rreth orës 17:00 për një shëtitje në Burrel dhe rreth orës 21:30 i kishte dërguar një mesazh ku i thoshte se po kthehej në shtëpi.
Dyshimet u shtuan pasi një nip i familjes pa makinën e ndaluar në zonën e quajtur “Kroi i Suçit”, përballë së cilës ndodhej një fuoristradë me drita të forta. Kur ai tentoi të ndalonte, një person i panjohur i bëri shenjë të largohej menjëherë.
Pas kërkimeve intensive, familjarët gjetën fillimisht një shapkë që i përkiste Renisit, më pas gjurmë frenimi dhe në fund trupin e pajetë të 23-vjeçarit në breg të Liqenit të Shkopetit. Automjeti “Mercedes Benz” kishte përfunduar në ujë, ndërsa trupi i viktimës u gjet me shenja të dukshme mbytjeje.
Autopsia mjeko-ligjore konfirmoi se shkaku i vdekjes ishte asfiksia, si pasojë e shtrëngimit në fyt, duke i shkaktuar dëmtime në gjendrat tiroide. Nuk u konstatuan plagë nga armë zjarri.
Nga verifikimet rezultoi se Renis Dobra kishte qenë i dënuar në Gjermani për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe kishte pasur konflikt të hapur me shtetasin Egri Hani, alias Egri Koçi, për pazare droge të prishura. Fillimisht hetimet u fokusuan në pistën e hakmarrjes, por gjatë kontrolleve në banesën e Hani-t nuk u gjetën prova kompromentuese, përveç disa telefonave dhe listave me numra gjermanë.
Hetimet vijojnë të përqendruara te identifikimi i plotë i rolit të personave që përdorën automjetet e marra me qira dhe zbardhja e plotë e dinamikës së rrëmbimit dhe vrasjes së Renis Dobrës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



