Vrasja makabër e 8-vjeçarit/ A duhet të rikthehet dënimi me vdekje?
Ngjela: Pamundësi absolute! Problemi është drejtësia e shitur. Zheji: Burgimi i përjetshëm është zgjidhje
Të dy ranë dakord se dënimi me vdekje nuk është zgjidhje për parandalimin e krimeve të tilla. Analisti Zheji e vuri theksin tek certifikatat psiko-sociale që jepen për persona që kryejnë krime të tilla, të cilat përcaktojnë nëse këta persona janë të aftë të rikthehen në shoqëri pas kryerjes së një krimi të mëparshëm.
Zheji ngriti dhe dyshime se një person i tillë që ngjall frikë në komunitetin ku banon, nuk mund të operojë i vetëm, por mund të ketë mbështetje dhe nga persona të tjerë për krimet që kryen.
Nga ana tjetër avokat Ngjela u pozicionua kundër dënimit me vdekje, pasi sipas tij këtë gjë nuk e lejon Bashkimi Evropian. Ai thekson se dënimi me vdekje kërkon një drejtësi të kulluar, pasi mund të dënojë gabimisht persona të pafajshëm. Sipas avokatit në Shqipëri problem është drejtësia e korruptuar dhe jo ekzistenca ose jo e ligjit me vdekje.
Pjesë nga biseda:
Artur Zheji: Personi që kreu vrasjen është një person që ka kryer shqetësim të madh për drejtësinë. Drejtësia ka qenë shumë e butë për të. Ka përdhunuar, ka fyer dhe më pas kanë dal dhe dëshmi të tjera se ka qenë shumë shqetësues për të gjithë dënimin. Çështja nuk është te dënimi me vdekja se sa a është i drejtë ai dënim për krimin që ka kryer, për përdhunimet e mëparshme dhe nëse e merr dënimin a e kryen atë deri në fund. Këta njerëz, që bëjnë këto vrasje si ky rast, janë njerëz që i kanë shpëtuar drejtësisë, ose drejtësia i ka toleruar ata si të rikuperuar. Kjo gjë ka ndodhur dhe në raste të tjera. Unë mbaj mend dhe precedent të mëparshëm, ku vrasës serialë kanë qenë dënuar shumë lehtë, pastaj janë falur dhe janë lënë të lirë. Ti ke njerëz që lihen të lirë që janë shumë të rrezikshëm. Në Amerikë këta persona mbikqyren shumë gjatë. Burgimi i përjetshëm është një zgjidhje.
U tmerrova kur lexova që një persona tjetër tha se i kishte përdhunuar gruan. Ky do ketë qenë një lloj bishe e pandëshkueshme në atë fshat, ku vëmendja jo vetëm e qeverisë, po dhe e zotit nuk ka qenë e pranishme, derisa një fëmijë i vogël ka ndërruar jetë në atë mënyrë. Kjo kafsha është toleruar pasi nuk ka një kontroll të territorit nga ana e administratës. Ai kur ka dal nga burgu, duhet të ketë patur dhe një ekspertizë të një psikiatri. Ne tallemi me këto ekspertiza që përcaktojnë nëse është një prototip përsëritës, apo kreu një krim të kalueshëm në një gjendje të caktuar dhe gjendja e caktuar i kaloi pasi e kreu dënimin dhe tani mund të rikthehet në shoqëri. Fakti që ky ka qenë një qen i zgjidhur në atë fshat dhe askush nuk është marrë seriozisht me të, duhet të ketë patur lidhje, nuk mund të ketë qenë i vetëm një person i tillë. Kjo është vetëm maja e aijsbergut, patjetër do ketë pasur disa që e kanë mbrojtur.
Spartak Ngjela: Dënimi me vdekje është pamundësi absolute se është një nga pikat e BE-së, bashkimi Evropian nuk ka dënim me vdekje. Nuk bën gjë dënimi me vdekje se është hequr për gabime. Keni parë që pas 15-vjetësh, pas 20-vjetësh kanë marrë pafajësinë ata që janë pushkatuar nga dënimi me vdekje. Dënimi me vdekje ka qenë defekt, sepse drejtësia nuk është e kulluar. Duhet të jetë drejtësia prefekte që dënimi me vdekje të jetë prefekt. Dënimi me vdekje dhe kriminalistët thonë që nuk bën ndonjë gjë, burgimi i përjetshëm është e njëjta gjë. Në Shqipëri është shitur drejtësia ndaj ndryshon problem. Ka përdhunuar një vajzë ky dhe ka dal. Këta janë struktura mendore kriminale dhe shteti nuk i ndjek. Nuk ka kapacitet t’i ndjekë me përgjime.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



