Vrau nënën, zbulohet telefonata me vëllain: Dërgo njerëz se…
I biri i dehur vrau nënën 84-vjeçare, pas sherreve të vazhdueshme.
Detaje te reja per krimin tronditës qe ndodhi në qytetin e Korçës mesditën e së hënës, ku djali ka dhunuar fizikisht dhe vrare nënën e tij të moshuar. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 13 të qytetit, në apartamentin ku nënë e bir jetonin së bashku pas divorcit të këtij të fundit. Në një apartament që ndodhej në katin e dytë të pallatit, Nazime Demollari, rreth 84 vjeç, është dhunuar dhe më pas është mbytur nga i biri Nesim Demollari, 64 vjeç.
Ky i fundit njihej nga banorët e lagjes si person i alkoolizuar dhe gjithashtu njihej si person agresiv. Nga ana tjetër, 64- vjeçari sipas dëshmive ushtronte dhunën në mënyrë sistematike ndaj nënës së tij të sëmurë. Gruaja e moshuar jetonte vetëm me të birin prej disa vitesh pas divorcit të tij, ndërsa ishte pre e dhunës që vinte si pasojë e konsumit të alkoolit. Nesim Demollari shpeshherë keqtrajtonte fizikisht të ëmën, pasi i kërkonte lekë për të konsumuar alkool dhe kjo kthehej shpesh në arsyen e grindjes mes tyre.
Mëngjesin e së hënës Nesim Demollari ka lënë nënën e tij të sëmurë në banesë, ndërsa ka shkuar për të konsumuar alkool siç bënte normalisht. Gjatë kësaj kohe, në banesë ka shkuar nusja e xhaxhait të tij, por kur ai është kthyer e ka nxjerrë nga apartamenti këtë të fundit, ndërsa i është hakërryer së ëmës duke e dhunuar fizikisht derisa i ka vendosur duart në fyt dhe e ka mbytur. Autori i këtij krimi të rëndë brenda familjes i ka telefonuar vëllait të tij, duke i treguar gjithçka kishte ndodhur.
Gjithashtu, lajmin për ngjarjen e rëndë ua ka komunikuar dhe disa prej fqinjëve të tij. Kanë qenë këta të fundit, të cilët kanë njoftuar Policinë për ngjarjen dhe Forcat e Rendit kanë bërë më pas prangosjen e 64-vjeçarit brenda në banesë. Gjatë marrjes në pyetje, Nesim Demollari ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar se i kishte telefonuar dhe vëllait të tij që jeton në Tiranë, për t’i komunikuar ngjarjen e rëndë.
Policia e Korçës ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Nga hetimet paraprake, grupi hetimor bën me dije se në trupin e 84-vjeçares janë vërejtur shenja dhune në fytyrë dhe trup, ndërsa ekspertët po vlerësojnë shkaqet e tyre dhe kohën kur janë shkaktuar.
Njoftimi i policise
Policia zbardh ngjarjen e ndodhur në datë 04.03.2019, ku shtetasja N.D., gjeti vdekjen në banesën e saj.
Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në vijim të kryerjes së veprimeve të mëtejshme proceduriale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, bënë arrestimin në flagrancë të djalit të saj, shtetasit N.D, 64 vjeç, banues në Korçë.
Arrestimi i tij u bë pasi, në banesë, ky shtetas dyshohet se ka goditur me sende të forta në kokë dhe trup, nënën e tij N.D., 84 vjeçe, e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.
Materialet i kaluan Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



