E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Xhemal Bushati zbulon prioritetet për Shkodrën
Lajme

Xhemal Bushati zbulon prioritetet për Shkodrën

Xhemal Bushati, ishkryetari i Këshillit Bashkiak në Shkodër, kërkon që më 6 mars të votëbesohet për të drejtuar bashkinë.

1

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, kandidati i PD-së në bastionin e të djathtëve shprehet se ndonëse garon për një mandat shumë të shkurtër, ai ka një plan të qartë për ta vendosur në punë që përmirëson jetën e banorëve që në fillim. Bushati thotë se punën e parë që do të bëjë është pastrimi dhe ndriçimi i qytetit. Ndërsa në një vit, do të rishikoj shpërndarjen e fondeve të buxhetit në mënyrë që paratë të shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës dhe te fermerët për subvencione. Ndërkohë, për rininë Bushati thotë se do i kushtojë një vëmendje arsimit profesional dhe do lidh marrëveshje me bizneset në mënyrë që ta shohin të ardhmen këtu. Ndërsa një vëmendje të veçantë, Bushati ka edhe për shtresën në nevojë.

Z. Bushati, pse pranuat të ishit pjesë e kësaj gare?

E kam pranuar kandidimin si përgjegjësi ndaj besimit që më ka dhënë Partia Demokratike për të përfaqësuar vullnetin e tyre si kandidat për kryetar të Bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet e 6 marsit. Po kështu, unë kam qenë dhe do të jem gjithnjë i gatshëm kur bëhet fjalë për Shkodrën.

Në një situatë të nxehtë politike, zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale, çdo të thonë këto zgjedhje për Shkodrën?

Janë zgjedhje për qeverisjen vendore dhe rrjedhimisht janë zgjedhje për qytetarët, për përditshmërinë dhe cilësinë e jetës së tyre. Nëse i referohemi Bashkisë Shkodër, i shoh si një mundësi që me votën e tyre qytetarët t’i kthejnë Bashkinë Shkodër shkodranëve, ta kthejmë Bashkinë Shkodër në shërbim të qytetarëve.

Megjithëse një mandat i shkurtër, ju besoj duhet të keni hartuar një program për Shkodrën?

Unë i kam paraqitur qytetarëve jo një program politik, por një plan të qartë, të zbatueshëm dhe të matshëm për Shkodrën.

Ky projekt bazohet në tri shtylla, emergjencë, shërbejmë sot dhe projektojmë të nesërmen. Çfarë përmbajnë këto tri shtylla të planit tuaj?

Ky është moment përcaktues për Shkodrën, vizioni im për të ndryshuar dhe zhvilluar këtë qytet bazohet pikërisht në këtë plan konkret, me objektiva të qarta, të matshme dhe të realizueshme. Pika e parë, emergjenca, është përmirësimi i infrastrukturës, sinjalistikës dhe qarkullimit rrugor në Shkodër, disiplinimi dhe sistemimi i tij, është një nga prioritetet ku plani i emergjencës do të zbatohet duke drejtuar efektivisht burimet njerëzore dhe mirëmenaxhuar ato financiare. Emergjenca për një qytet më të pastër dhe mbetje e kanalizime të sistemuara, kërkon dhe do të ketë ndërhyrjen e menjëhershme në menaxhim dhe vendimmarrje të përbashkët. Rishikim, rishpërndarje dhe korrigjim të buxheteve në ato sektorë ku janë adresuar kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, duke i ardhur në ndihmë e mbështetje qytetareve ne nevojë. Mbështetje të dedikuar fermerëve me konsulenca dhe përgatitja e dokumentacioneve për subvencionet për fermerët. Ndërtimi i tregjeve të reja dhe sistemimi i tregjeve bujqësore, rehabilitimi dhe vënia në funksionim i sistemeve ujitës në tokat bujqësore, tërë sistemit ujitës të tokave bujqësore. Ofrimi nga bashkia i mundësisë për bërjen e plan-rilevimeve për procesin e regjistrimit të pronave bujqësore. E dyta, shërbejmë sot është standardi i transparencës përmes të cilit çdo qytetar do të gëzojë të drejtën e informimit mbi aktivitetin e kryetarit të Bashkisë dhe të gjithë administratës, të informimit të shpenzimeve dhe investimeve, ndërveprimi i qytetarëve për propozime, vendime apo ankesa dhe ofrimi i shërbimeve sa më pranë qytetarëve, është një angazhim për të bashkëdrejtuar me qytetarët bashkinë e Shkodrës. Hartimi i planeve për të cilat unë do të punoj në bashkëpunim të ngushtë me intelektualët, të rinjtë, biznesin, qytetarët dhe realizimi i tyre do të projektojë Shkodrën e të nesërmes. Shkodra do të projektohet si qyteti që kujdeset për shtresat në nevojë, si qyteti me taksa të ulëta dhe qyteti që ofron punësim dhe shkollim cilësor në përputhje me kërkesat e tregut rajonal, Shkodra e së nesërmes do të jetë qyteti i kulturës që ruan, zhvillon dhe promovon traditën dhe trashëgiminë e kulturës dhe Shkodra, qyteti i turizmit.

Cilat janë gjërat e para që do të bëni nëse ju fitoni zgjedhjet më 6 mars?

Detyra e parë që do të bëj janë disa gjëra shumë te thjeshta, por shumë të prekshme për qytetarët dhe banorët e njësive administrative, të cilat bëhen me një mobilizim dhe përkushtim të kryetarit të Bashkisë, që nuk do ta sundojë bashkinë, por do ta bashkëdrejtojë me qytetarët, punonjësit dhe administratën e bashkisë!

Pastrimi i qytetit dhe njësive, gjelbërimi, ndriçimi, përmirësimi i tregjeve të vogla janë disa prej ndërhyrjeve kryesore që janë pjesë e planit të emergjencës.

Çfarë do të bëni për punësimin e të rinjve për të ndaluar largimin e tyre nga Shkodra?

Të rinjtë do jenë fokusi jonë kryesor. Bashkia Shkodër do të krijojë ura bashkëpunimi me biznesin dhe universitetin për të parë se cilat janë nevojat dhe si mund t’i orientojmë të rinjtë në mënyrë që ata të punësohen, të ndjehen të vlerësuar dhe të mos kenë nevojë që të emigrojnë. Shumë e rëndësishme është rritja e vijueshmërisë së arsimit profesional dhe shkallës së diplomimit, si dhe rritja e mundësive për kualifikime dhe përmirësimin e qasjes së të rinjve për këshillim karriere. Do të investojmë në shkolla, kopshte dhe çerdhe, sepse nga aty nis në mënyrë që nxënësit tanë të kenë kushtet optimale për të mësuar, sepse infrastruktura në këto godina ka probleme.

Çfarë mendoni për dy kandidatët e tjerë, znj. Majlinda Angoni të PS-së dhe z. Bardh Spahia të koalicionit Shtëpia e Lirisë dhe a rrezikon PD-ja ta humbasë Shkodrën pas 30 vitesh për shkak të përplasjes?

Për mua këto zgjedhje janë për qytetarët dhe unë kontratën e besimit e kam me ta, për t’i kthyer Shkodrën shkodranëve. Znj. Angoni vjen në këtë garë si përfaqësuese e qeverisë e duke thënë këtë nuk ka më çfarë t’ju ofrojë Shkodrës e shkodranëve. Kandidati tjetër ka zgjedhur një rrugë tjetër. Sa i përket se kush do ta fitojë bashkinë, unë mendoj se shkodranët janë të mençur, gjë të cilën e kanë treguar gjithmonë. I ftoj të gjithë që me 6 mars të bashkohen për të votuar numrin 3, PD-në dhe Xhemal Bushatin.

Pse duhet t’ju votojnë shkodranët ju më 6 mars?

Vota për Xhemal Bushatin dhe Partinë Demokratike është votë për interesin e qytetarëve të Shkodrës dhe jo interesat politike. Ata që duan të vazhdojnë të sundojnë Shkodrën nuk do të kenë më mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. Unë do ta bashkëdrejtor bashkinë me qytetarët. Do të jenë ata që do vendosin për investimet dhe unë do jem vetëm zbatuesi i tyre. Duhet të votojnë Xhemal Bushatin për një Shkodër tjetër.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.