“Xhuanën ua dërguam vajzën nuse, ata e sollën me arkivol”
Apeli përlotës i prindërve dhe motrës së 25-vjeçares
Historia e rëndë e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj vijon të tronditë opinionin publik, ndërsa familja e saj thyen heshtjen dhe rrëfen dhimbjen e madhe që po përjeton.
“Ne ua dërguam vajzën nuse, ata e sollën me arkivol”, janë fjalët rrëqethëse të nënës, që përshkruajnë tragjedinë e papërshkrueshme që i ka goditur.
Më shumë se një muaj pas ngjarjes, dhimbja në familjen Nikollaj mbetet e freskët dhe e pashuar. Sipas të afërmve, e reja i dha fund jetës në rrethana të rënda, pas dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj.
Për herë të parë, prindërit e saj kanë hapur dyert e shtëpisë dhe zemrës, duke treguar për muajin më të vështirë të jetës së tyre — një periudhë e mbushur me dhimbje, pikëpyetje dhe kujtime që nuk e zëvendësojnë mungesën e vajzës së tyre.
“Shumë e vështirë ka qenë për ne se na ra befas, shumë dhimbje për ne. Vajza ishte shumë mirë në ëndrrat e saj, e lumtur. Veç kur na erdhi lajmi që është në spital. E kemi çuar vajzën nuse, me shkollë… vajzën e sollën në arkivol. Apeli im është që ai djalë vajzën time të mos e kishte prekur me dorë. Do Zoti që familja e tij të shkojnë ta marrin dhe ta vënë para drejtësisë dhe të vuaj për çfarë ka bërë për vajzën tonë”, u shpreh nëna e saj.
“Kur të arrestohet ai ne lehtësohemi pak”, shton ajo.
Mes dhimbjes së thellë, babai i të ndjerës tregon për shenja të dukshme dhune në trupin e vajzës, duke ngritur dyshime serioze për atë që mund të ketë ndodhur.
Ai thekson gjithashtu se telefoni i saj ende nuk është hapur nga autoritetet, një element që sipas familjes mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të së vërtetës.
“Dhimbjen e kam të madhe, i bëj apel institucioneve që të vënë dorën në zemër dhe të vënë drejtësi për atë krim që ka bërë ai kriminel dhe të kapet sa më parë. Vajza ime s’i ka pasur asnjë borxh. Kushdo që e sheh ta denoncojnë dhe ta çojnë para drejtësisë. Ekspertët të marrin dhe të hapin telefonin e vajzës time. Ditën kur tërhoqëm nga morgu trupin, ka pasur shenja në nofull, trup, krah, gjithkund, e ka bërë sikur të ishte egërsirë. Kërkoj të dënohet sa më shumë…. Nofullën e ka me shenja, ndoshta dhe i ka dhënë me zor helmin. Nuk e dimë”, tha babai i saj.
Në një apel të drejtpërdrejtë, edhe motra e viktimës kërkon drejtësi dhe zbardhje të plotë të ngjarjes.
“Duam që ai djalë të kapet, Eraldo Fizi, të vuaj dënimin dhe të tregojë pse e ka rrahur motrën tonë”, u shpreh ajo.
Një familje e shkatërruar, një jetë e humbur dhe një thirrje e fortë që kërkon përgjigje: drejtësi për Xhuanën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



