Rrëfimi rrëqethës i babait të Xhuana Nikollajt: Jemi të vdekur, vetëm marrim frymë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, ku 25-vjeçarja Xhuana Nikollaj nga Lezha humbi jetën në rrethana tragjike, pasi dyshohet se konsumoi fostoksinë. Rasti po hetohet nga autoritetet, ndërsa dyshimet paraprake lidhen edhe me dhunë të mundshme nga ish-bashkëshorti i saj.
Babai i të resë, në një rrëfim prekës për emisionin “Me zemër të hapur”, tregoi se familja nuk kishte dijeni për probleme apo dhunë në marrëdhënien e vajzës me ish-partnerin. Mes dhimbjes së thellë, ai u shpreh se lajmin për vdekjen e morën nga vajza tjetër që jeton në Tiranë, ndërsa theksoi se telefonata e fundit e Xhuanës kishte qenë me nënën e saj, vetëm pak orë para ngjarjes.
“Jemi të vdekur, vetëm marrim frymë. U zhvendos 3 muaj më parë në Tiranë. Lajmin na e dha vajza tjetër, se është në Tiranë. Nuk na ka thënë asgjë për dhunën, s’dinim asgjë. Me Eraldon u martua në qershor të vitit të kaluar. U divorcuan në janar. U ndanë pa ngatërresa, se nuk shkonin. Nuk jam në gjendje me fol, na falni. A do të ngjallet ajo?! Ia kemi lënë në dorë drejtësisë.”, tha ai.
Sipas familjarëve, 25-vjeçarja ishte martuar në qershor të vitit 2025 dhe ishte ndarë nga bashkëshorti në janar, në dukje pa konflikte të hapura. Pas divorcit, ajo ishte zhvendosur në Tiranë, ku jetonte prej rreth tre muajsh me motrat.
Megjithatë, hetimet kanë nxjerrë në pah detaje shqetësuese. Burime policore bëjnë me dije se një ditë para ngjarjes, ish-bashkëshorti i saj ishte kthyer nga jashtë dhe kishte shkuar në banesën e saj në Tiranë. Dyshohet se mes tyre ka pasur një përballje, gjatë së cilës mund të jetë ushtruar dhunë.
Në trupin e pajetë janë konstatuar shenja dëmtimi në kokë, fytyrë dhe në njërin krah, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun përfundimtar të vdekjes. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim ish-bashkëshortin, i dyshuar për “dhunë në familje” dhe “shkaktim të vetëvrasjes”.
Hetuesit po punojnë gjithashtu për të zbardhur mënyrën se si e reja ka siguruar fostoksinën, një substancë shumë e rrezikshme, përdorimi i së cilës është i kufizuar dhe i kontrolluar.
Familja, e tronditur nga humbja, kërkon drejtësi dhe zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë fund tragjik.
Pjesë nga ntervista:
Evis Ahmeti: Kush ju lajmëroi për vdekjen?
Babai i Xhuana Nikollit: Ishte goca tjetër në Tiranë.
Evis Ahmeti: Kishte kohë që jetonte në Tiranë Xhuana?
Babai i Xhuana Nikollit: Gati tre muaj
Evis Ahmeti: Kur kishit folur për herë të fundit?
Babai i Xhuana Nikollit: Me mamin e vet ka folur, në mëngjes ‘ a jeni mirë’ dhe kaq.
Evis Ahmeti: Nuk ishit në dijeni që ajo dhunohej?
Babai i Xhuana Nikollit: Jo, nuk ishim në dijeni dhe nuk na ka thënë asgjë
Evis Ahmeti: Me Erladon ishte martuar në gusht?
Babai i Xhuana Nikollit: Ka qene i martuar në qershor
Evis Ahmeti: Ishin divorcuar?
Babai i Xhuana Nikollit: Po, u ndanë.
Evis Ahmeti: Me motrat nuk kishte shprehur që dhunoj
Babai i Xhuana Nikollit: Nuk jam në gjendje të flas….Ja kemi lënë drejtësisë këtë punë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



