Ylli Manjani sqaron : Ja kur shpërndahet Parlamenti
Presidenti Ilir Meta paralajmëroi nga protesta e djeshme se mazhoranca e kryeministrit Edi Rama ka kohë deri në 15 mars për të reflektuar, ndryshe ai do të shpërndajë Parlamentin.
Kreu i shtetit është përbetuar disa herë për të shpërndarë Parlamentin, pasi sipas tij, këtë kompetencë ia njeh dhe vetë Kushtetuta.
Por, nga ana tjetër nëse shohim me vëmendje në Kushtetutë rastet kur shpërndahet Parlamenti, tregon se presidenti e ka krejt të pamundur në kushtet aktuale për ta bërë një akt të tillë.
Madje, edhe një nga ish-eksponentët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani konstaton po të njëjtin fakt.
Në këtë mënyrë, Manjani nxjerr blof kërcënimin e Ilir Metës për të shpërndarë Parlamentin.
Kushtetuta parashikon vetëm tre raste kur shpërndahet Parlamenti: Kur dështon të zgjedhë Presidentin e Republikës, sipas nenit 87, kur pas zgjedhjeve nuk arrin të zgjedhë një Kryeministër, sipas nenit 96. As në këto kushte nuk jemi dhe kur Kryeministri humbet mocionin e besimit sipas nenit 104. Por, në fakt situata aktuale e përplasjes institucionale mes presidentit dhe qeverisë, nuk përkon me asnjë prej këtyre rasteve për të shpërndarë parlamentin siç kërcënon Ilir Meta.
Statusi i Manjanit: “Edhe njëherë. Nuk bezdisem por e kam të pamundur tu përgjigjem të gjithëve veç e veç. Ndaj po e risqaroj çështjen e “Shpërndarjes së Parlamentit”, sipas Kushtetutës së shkruar të Republikës së Shqipërisë.
Por kam një kërkesë, hapeni vetë dhe lexojeni sepse kjo çështje nuk mund të serviret si thashethem. As si opinion.
Përsëris:
Parlamenti shpërndahet në 3 raste:
- Kur dështon të zgjedhë Presidentin e Republikës, sipas nenit 87. Besoj e kuptojmë se nuk jemi në këto kushte.
- Kur pas zgjedhjeve nuk arrin të zgjedhë një Kryeministër, sipas nenit 96. As në këto kushte nuk jemi.
- Kur Kryeministri humbet mocionin e besimit sipas nenit 104. As në këto kushte nuk jemi.
Këto janë rastet dhe nenet e vetme ku shkruhet togfjalëshi “Shpërndarje e Parlamentit”.
Nuk ka asnjë rresht tjetër që e shkruan apo e parashikon.
Nga ana tjetër, për t’i dhënë përgjigje pyetjes “A ka të drejtë Presidenti ta shpërndajë Parlamentin”, duhet të lexoni nenin 92 të Kushtetutës së shkruar. Është neni ku renditen të gjitha kompetencat e Presidentit. Unë nuk shoh asnjë rresht të këtij neni që t’ia njohë këtë kompetencë Presidentit.
Por sidoqoftë lexojeni dhe vetë.
Kjo është Kushtetuta e shkruar.
Pastaj, a ke ka bërë hak që ky parlament të shuhet; apo meqë nuk është numri 140, etj etj, janë çështje interpretimesh politike.
Unë vetë mund të bie dakord me çdo gjë që thuhet, por Kushtetua është kaq e ftohtë sa çfarë shkrova më lart.”, shkruan Manjani.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



