Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xhecuka dhe Silvio Cara; këta janë 4 autorët e dyshuar të vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati më datë 1 shkurt 2021 në Fier, në vendin e quajtur Sheq i Madh.
Newsbomb.al mëson se Policia e Fierit në bashkëpunim me Policinë Kriminale dhe Prokurorinë kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpallje e këtyre shtetasve në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, dhe kërkon ndihmën e homologëve për lokalizimin e tyre.
Sipas Policisë së Fierit, mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur në mungesë masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, për shtetasit:
– Albert Zaja, 37 vjeç dhe Elmir Tufa, 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë;
– Eleson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë;
– Silvio Cara, 39 vjeç, banues në Tiranë.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, nga ana e Policisë është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetaseve. Strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së.
Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale.
Kujtojmë se, Shkëlzen Kastrati, 41 vjeç, mbeti i vdekur paraditen e 1 shkurtit në Fier pas një atentati të mirorganizuar, në rrethrrotullimin e Sheqit. Ai udhëtonte me mjetin e tij tip Mercedes Benz ML, kur u qëllua me dy plumba që i morën jetën.



