E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbardhet dëshmia e turkut që largoi me makinë Sokrat Vatën
Lajme

Zbardhet dëshmia e turkut që largoi me makinë Sokrat Vatën

“Eja më merr se kam bërë aksident”

“Eja më merr se kam bërë aksident me motor”. Kjo është telefonata që, sipas dëshmisë së dhënë në gjykatë, Nuh Mahmutoglu ka marrë nga Sokrat Vata pas ngjarjes së rëndë në Ksamil.

Detaje të reja janë bërë të ditura gjatë seancës maratonë në Gjykatën e Sarandës, ku shtetasi turk ka dhënë versionin e tij për momentet pas ngjarjes.

Mahmutoglu ka deklaruar se nuk kishte dijeni për atë që kishte ndodhur realisht. Sipas tij, telefonata e Vatës e bëri të besonte se ai kishte pësuar një aksident me motor dhe për këtë arsye shkoi ta merrte me automjet.

Sipas dëshmisë së tij, pasi u takuan, Vata i ka thënë se ishte i lodhur dhe se donte të flinte. Më pas, ai është futur në bagazhin e automjetit.

Mahmutoglu ka treguar para gjykatës se në atë moment ndodhej në Sarandë, në një distancë jo të largët nga vendi ku kishte ndodhur krimi.

Pasi mori Vatën në makinë, ai ka vijuar rrugën për të marrë edhe një vajzë turke. Shtetasi turk ka këmbëngulur se gjatë gjithë kësaj kohe nuk kishte dijeni për ngjarjen e rëndë dhe se kishte besuar versionin që i ishte dhënë nga Vata.

Avokatja kundërshton arrestin me burg

Në seancë, avokatja mbrojtëse Xhoi Nela ka kundërshtuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj klientit të saj.

Sipas mbrojtjes, fakti që Mahmutoglu dhe Vata janë gjetur së bashku nuk është i mjaftueshëm për të provuar se shtetasi turk kishte dijeni për krimin.

Avokatja ka argumentuar se nuk është provuar ana subjektive e veprës, pra dijenia dhe qëllimi i Mahmutoglut në lidhje me ngjarjen.

“Vetëm fakti që janë gjetur bashkë nuk justifikon masën ‘arrest me burg’, pasi nuk provohet se kishte dijeni për ngjarjen dhe, për rrjedhojë, nuk plotësohet ana subjektive”, ka deklaruar Nela gjatë seancës.

Nuh Mahmutoglu, i cili banon në Durrës, është administrator i një biznesi që ushtron aktivitet në sektorin e makinave me qira.

Dëshmia e tij pritet të jetë pjesë e materialeve që do të vlerësohen nga gjykata për të përcaktuar nëse ai kishte dijeni për ngjarjen dhe çfarë roli ka pasur në largimin e Sokrat Vatës pas krimit në Ksamil.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.