Zbardhet dinamika e krimit/ Si oficeri i krimeve u vra pasi asgjësoi parcelën me kanabis! Në vendin e ngjarjes u gjetën 9 gëzhoja! Çfarë tha 21-vjeçari përpara se të qëllonte
ELVIS HILA/ Forcat e rendit kanë qëlluar në drejtim të 21-vjeçarit Aldi Rama, pasi ai ekzekutoi me dy plumba efektivin Saimir Hoxha, 44 vjeç, ngjarje e ndodhur paraditen e së martës në fshatin Ishull Lezhë.
Në kronologjinë e detajuar të ngjarjes nga Policia lokale, bëhet me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur nëntë gëzhoja plumbash, të cilat janë të armëve të efektivëve që ishin në vendin e ngjarjes, për të cilët Policia thotë se kanë qëlluar në drejtim të automjetit të 21-vjeçarit që tentonte të arratisej nga vendi i ngjarjes. “Oficerët e grupit të kontrollit kanë reaguar me armët e shërbimit kundër automjetit në largim, me qëllim neutralizimin e tij. (Në vendngjarje janë sekuestruar 9 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, që përkojnë me armët e punonjësve të Policisë. Në automjetin e autorit janë konstatuar 4 dëmtime nga predhat me armë zjarri, me drejtim nga jashtë brenda) Në ndihmë të grupit të kontrollit, pas njoftimit të dhënë për ngjarjen, kanë shkuar forcat ‘Shqiponja’ dhe drejtuesit e Drejtorisë Vendore dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë. Nga ndjekja që i është bërë automjetit, autori tashmë i identifikuar si Aldi Rama ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap, duke iu fshehur ndjekjes së mëtejshme të forcave të Policisë”, sqaron Policia lokale.
PARCELA ME KANABIS
Ajo që u transmetua fillimisht në media se i riu ishte pranë një parcele me kanabis u zyrtarizua edhe nga Policia e Lezhës, duke theksuar se grupi i efektivëve kishin asgjësuar një miniparcelë me rreth 60 rrënjë bimë kanabis sativa. Gjatë këtij aksioni për shkatërrimin e parcelës, ku kultivuesit nuk dihet se kush janë, efektivët kanë qenë me veshje civile dhe vetëm një prej tyre ka pasur një jelek me mbishkrimin “Policia”. “Më datë 28.09.2021, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave për kontrollin e territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për ekzistencën e një miniparcele të kultivuar me bimë narkotike, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Lezhë është formuar grupi i kontrollit, me qëllim kontrollin e zonës Kune Vain. Grupi i kontrollit përbehej nga tre punonjës policie dhe kryesohej nga shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë. Punonjësit e Policisë kanë qenë me veshje civile dhe njëri prej tyre ishte me jelek fosforeshent me mbishkrimin Policia. Grupi i kontrollit ka konstatuar një miniparcelë me bimë narkotike, ku janë gjetur dhe asgjësuar me anë të djegies 62 bimë narkotike, ku disa nga këto bimë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimeve të nevojshme, në interes të dokumentimit të plotë ligjor të kësaj vepre penale. Materialet procedurale lidhur me kultivimin e bimëve narkotike do të referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, më datë 29.09.2021”, sqaron Policia lokale.
PËRBALLJA ME 21- VJEÇARIN
Jo shumë larg parcelës me kanabis, efektivët që kishin asgjësuar drogën me anë të djegies, kanë konstatuar një automjet tip “Volkswagen” me targa “AA984TL”, në vendin e quajtur Vain, Ishull Lezhë. Automjeti ishte rreth 500 metra larg miniparcelës me drogë. Ende nuk dihet nëse 21-vjeçari Aldi Rama dhe dy shokët e tij janë përfshirë në këtë aktivitet. “Ky automjet, pasi është shkëmbyer me automjetin që lëviznin punonjësit e Policisë, pas disa minutash është kthyer dhe ka lëvizur në drejtim të qytetit të Lezhës, mbrapa automjetit të punonjësve të Policisë. Grupi i kontrollit ka vendosur që ta ndalojë automjetin dhe të ushtrojë kontroll, në vendin e quajtur Postblloku i Zonës së Mbrojtur Kune Vain. Pasi iu është dhënë shenjë ndalimi, me qëllim verifikimin e tyre, automjeti është ndaluar dhe punonjësit e Policisë, pasi janë prezantuar si punonjës të Policisë së Shtetit, u kanë kërkuar personave që ndodhshin në automjet dokumentet e identifikimit”, thuhet më tej. Kësaj thirrjeje i janë përgjigjur vetëm dy nga tre personat që ndodheshin në mjet, përkatësisht Armando Marku dhe Kristjan Sherri, të arrestuar nga Policia.
“NUK JAM PËR T’U KONTROLLUAR”
Ndërkohë që shokët e Aldi Ramës janë dorëzuar pa rezistencë, 21-vjeçari që ndodhej në pjesën e pasme të automjetit ka refuzuar, duke u deklaruar efektivëve se “unë nuk jam për t’u kontrolluar…”. Këtë deklaratë i riu me sa duket e ka bërë për shkak se mbante armë me vete dhe rrezikonte të futej në burg sërish. Më pas, ai ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë tip TT dhe ka qëlluar me dy plumba oficerin e Policisë, Saimir Hoxha, i cili ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Pas krimit të rëndë, 21- vjeçari ka marrë drejtimin e automjetit dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. “Pas disa orësh ndjekje të autorit, duke përdorur dronë, qentë e kërkimit, si dhe helikopterin, është bërë i mundur lokalizmi i vendit ku fshihej autori i dyshuar i ngjarjes dhe konkretisht në afërsi të argjinaturës në Lagunën e Vainit”, sqaron më tej Policia.
VETËPLAGOSJA
Pasi u konstatua nga Forcat Speciale “Renea” dhe FNSH, i riu ka bërë sërish rezistencë për t’u dorëzuar. Policia ka bërë rrethimin në një perimetër të gjerë të vendit ku fshihej autori i dyshuar i ngjarjes dhe i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për rreth 45 minuta që të dorëzohej. “Shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes për vetëdorëzim, por është vetëplagosur në kokë me armën tip TT, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Po kështu, në afërsi të vendit ku u gjet i vetëplagosur autori, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë provës materiale një gëzhojë model 54 e kalibrit 7.62 milimetra, si ato që përdorin pistoletat TT. Autori i vetëplagosur është transportuar me barelë menjëherë deri në vendin e quajtur ‘Postblloku i Zonës së Mbrojtur Kune Vain’, pasi ishte e pamundur futja e autoambulancës në vendngjarje, për shkak të terrenit. Më pas është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë me autoambulancë dhe më vonë nga autoritetet spitalore është dërguar për ndihmë mjekësore më të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë”, thuhet më tej. Aldi Rama ishte në gjendje tejet të rëndë shëndetësore dhe mjekët kishin pak shpresa se ai do të mund të mbijetonte. “Ndërkohë, rreth orës 05:35 të mëngjesit të sotëm, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama”, bëri me dije Policia. Ekspertët mjekoligjorë, në prezencë të grupit hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po kryejnë autopsinë dhe të gjitha veprimet e tjera ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



