Zbardhet kërkesa e Alibeajt: Do duhet të identifikojmë problematikat
Xhaferraj: Të mbajmë në konsideratë interesin elektoral
Panorama.al ka siguruar një pjesë të diskutimeve të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Gazetari Maringlen Kume raporton se Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar që muaji qershor të shërbejë si një periudhë për evidentimin e problematikave që lidhen me Reformën Territoriale.
Gjatë mbledhjes, Alibeaj është shprehur se deri në fund të korrikut, të dilet me një propozim konkret për mënyrën sesi do të duhet të jetë harta e re territoriale e Shqipërisë.
Alibeaj: Në qershor do të evidentohen problematikat që lidhen me Reformën Territoriale, dhe deri në fund të korrikut do të dilet me propozim konkret, për mënyrën sesi do të duhet të jetë harta e re territoriale e Shqipërisë.
Ndërkohë deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferraj ka deklaruar gjatë mbledhjes se krahas interest qytetar, opozita duhet të fokusohet edhe në interesin electoral përsa i përket reformës territoriale.
Xhaferaj: Mendoj që komisioni ka një kompozim shumë të mirë duke filluar nga Dhurata që ka një artikulim të mirë. Ne duhet të kemi disa opsione. Dhe krahas interesit qytetar që është primar, sigurisht duhet të mbajmë në konsideratë edhe interesin elektoral. Nga të gjitha takimet që kemi pasur me qytetarë, ka një dakordësi për rritjen e numrit të bashkive.
Në debatet në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, deputetja Çupi ka kërkuar që në fazën e parë të punës, duhet të përfshihet një fushatë komunikimi dhe informimi me qytetarët, mbi realitetin e reformës aktuale.
Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se anëtarët e komisionit që përfaqësojnë PD-në, kanë miratuar dy ekspertë që do i bashkangjiten punës për reformën territoriale.
Çupi: Ne dje jemi mbledhur anëtaret e komisionit që përfaqësojmë PD. Miratuam dy ekspertë që do na bashkëngjiten. Faza e parë duhet të jetë komunikimi me opinionin publik. Sot ka nje reformë të dështuar sa i takon atyre çfarë u premtua në 2014. Një reformë që premtoi shumë por sot jemi para realitetit që reforma ka dështuar. Ne duhet të komunikojmë me qytetarët mbi atë çka ndodhur deri sot me reformën. Ekspertët janë: Agron Haxhimali dhe Roland Bejko.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



