Zbardhet skema 700 mijë € me ilaçet e astmës Foster dhe Trimbow
Ish-drejtori i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), Spartak Zekja, është arrestuar nga policia, pasi akuzohet se është përfshirë në një skemë mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh me ilaçet e rimbursueshme që përdoren për trajtimin e sëmundjeve kronike të frymëmarrjes.
Zekja u shkarkua nga posti më 23 shtator 2025, vetëm një muaj para se të ndalohej nga organet e drejtësisë. Në vend të tij Ministria e Shëndetësisë emëroi Arti Papajanin.
Skema 700 mijë euro e “ilaçeve fantazmë”
Sipas Prokurorisë së Tiranës, Zekja, së bashku me tre zyrtarë të tjerë të FSDKSH-së, administratorin e kompanisë farmaceutike “CFO Pharma” dhe dy pronare farmacish, kanë falsifikuar dokumente për të krijuar inventarë fiktivë barnash me vlerë mbi 700 mijë euro, me qëllim përfitimin e fondeve të rimbursimit nga Fondi Shëndetësor.
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.4472/2025, është shpallur në kërkim Frigul (Firgul) Milla, administrator i kompanisë “CFO Pharma”, i dyshuar si organizatori kryesor i skemës.
Si funksiononte skema
Sipas prokurorisë, Milla përdorte dy kompani të tjera, “Pharma Plus” dhe “Medix Albania”, për të krijuar dokumente të rreme në sistemin digjital “Edepo”.
Nëpërmjet falsifikimit të inventarëve dhe faturave, këto kompani raportonin sasi të mëdha ilaçesh që në realitet nuk ekzistonin, duke lejuar më pas shitjen fiktive të tyre te “CFO Pharma” e më tej në farmaci.
“Këto veprime kanë lejuar që subjektet ‘Pharma Plus’ dhe ‘Medix Albania’ të kenë aftësi për shitjen e medikamenteve ‘Foster’ dhe ‘Trimbow’ te subjekti ‘CFO Pharma’,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Masat e sigurisë
Arrest në burg:
-
Frigul Milla – Falsifikim dokumentesh dhe fshehje të ardhurash
-
Spartak Zekja – Falsifikim dokumentesh
Detyrim paraqitjeje dhe ndalim daljeje jashtë vendit:
-
Alba Zylfo – Falsifikim dokumentesh, fshehje të ardhurash
-
Jona Berberi – Falsifikim dokumentesh
-
Lorela Ballabani – Falsifikim dokumentesh, fshehje të ardhurash
Detyrim paraqitjeje:
-
Romina Agalliu – Falsifikim dokumentesh
Pezullim nga detyra dhe ndalim daljeje jashtë vendit:
-
Zade Mali – Falsifikim dokumentesh
-
Esjana Gjishti – Falsifikim dokumentesh
Ilaçet në qendër të skandalit
“Foster” dhe “Trimbow” janë ilaçe të përdorura për trajtimin e astmës bronkiale dhe sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (SPOK), të cilat janë pjesë e listës së barnave të rimbursueshme nga shteti.
Hetimet nisën pas kallëzimit të Ilir Shehut, administrator i kompanisë “Medicamenta”, importues ekskluziv i këtyre produkteve farmaceutike. Shehu denoncoi se “CFO Pharma”, në bashkëpunim me zyrtarë të FSDKSH-së dhe subjektet “Pharma Plus” e “Medix Albania”, po zhvillonin shitje dhe blerje fiktive për të përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, në qendër të kësaj skeme qëndronte distributori “CFO Pharma”, që përmes kompanive “fantazmë” krijonte inventarë të rremë dhe përfitonte shuma të mëdha nga rimbursimet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



