Zbardhet vendimi/ Ja godinat që jepen me koncesion
Qeveria ka vendosur të japë me koncesion edhe ndërtimin e tri megaprojekteve të përfolura prej vitesh. Bëhet fjalë për kampusin universitar, Akademinë e Arteve dhe Korpusin e Policisë së Shtetit.
Vendimi parashikon që e gjithë procedura e administrimit të ndërtimit të tyre, në partneritet me privatin, të ndiqet nga Bashkia e Tiranës. Nga ana tjetër, vendimi në fjalë nuk jep asnjë detaj mbi modalitetet e zbatimit të koncesionit, koston dhe kohëzgjatjen e tij. Aktualisht, njihen dy mënyra se si procedon bashkia në këto raste.
E para, ka të bëjë me ndërtimin e objekteve nga koncesionari dhe mundësinë e shlyerjes së pagesës nga bashkia bashkë me interesat për një periudhë kohore relativisht të gjatë. E dyta, lidhet më shkëmbimin e shërbimeve, ku privati që merr lejen për ndërtimin e objekteve fiton bashkë me to edhe leje për ndërtimin e pallateve, të cilat gjithashtu përkthehen në para.
KAMPUSI UNIVERSITAR
Premtimi i çdo palë zgjedhjesh, si ato për pushtetin qendror e vendor, ashtu edhe në nivel universitar, duket se më në fund do të realizohet. Është fjala për kampusin universitar, projekti i të cilit u prezantua nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës fiks këtu e një vit më parë, në kohën kur ende nuk ishte shuar mirë zjarri i protestës studentore. Deri më sot, projekti mbeti në letër. Shkaku kryesor ishte zaptimi i territorit.
Tanimë, me shembjen e godinave që banoheshin nga familjarë, që u bënë të pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit, rruga është e hapur. Me marrjen në dorë të administrimit, bashkia do të presë ofertat për të shpallur kompaninë fituese. Projektin e ka gati.

I hartuar nga kompania italiane e përfaqësuar nga Pier Paolo Tambureli, partner i kahershëm i bashkisë, kampusi që do të ndërtohet në Qytetin Studenti parashikon shtimin e 11 godinave të reja, ndërtimin e një megabiblioteke, mensë të madhe dhe terrene sportive. Sipas premtimit të fundit nga qeveria, studentët do të kenë kampusin e ri brenda mandatit të dytë të kryebashkiakut Erion Veliaj.
GODINA E ARTEVE
Tetëdhjetë vite pas ndërtimit, edhe godina e Vniversitetit të Arteve do të rindërtohet, tashmë në formë kampusi. Edhe këtë objekt do ta marrë në dorë një arkitekt italian, Marco Casamonti, i cili ka hedhur përpara disa kohësh projekt-idenë që parashikon të ruajë historinë duke ndërtuar në formë rrethore përreth godinës, por pa prekur fasadën e ndërtesës. Në hapësirën e re prej 20 mijë metrash katrorë do të ketë përveçse më shumë salla për leksione e seminare, një shesh të madh në mes, teatro e parking nëntokë.
SELIA E POLICISE
Edhe Policia e Shtetit do të ketë një korpus të ri. Për këtë objekt është hapur tenderi për projektimin e ndërtimit që më 8 nëntor të 2018- ës me një fond prej 36.4 milionë lekësh dhe që prej atëherë nuk u fol më. Ai do të ndërtohet pranë ish-batalionit të Policisë Ushtarake, ngjitur me Akademinë e Sigurisë, duke krijuar kështu një kompleks shërbimesh të Policisë me strukturat e saj vartëse.
Janë një sërë ndërhyrjesh që janë propozuar të kryhen në këtë godinë, që përfshijnë rehabilitimin e godinave, si dhe ndërtimin e dy godinave të reja fjetore për studentët, godinë për sporte ujore e ushtrime force, si dhe shtesë godine mësimore për zjarrfikëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



