Zbardhet vrasja e shqiptarit Edmond Llangozi në Athinë
Është zbardhur vrasja e Edmond Llangozit, i cili u ekzekutua për një borxh në mes të Athinës më 11 janar të këtij viti.
Sipas mediave greke, autorët e kësaj ngjarje janë një shqiptar dhe një grek, të dy të moshës 32-vjeçare. Ata janë arrestuar nga policia, ndërsa raportohet se një person i tretë është i përfshirë në këtë vrasje dhe kishte rolin e vëzhguesit.
Nga të shtënat me armë zjarri në atë kohë mbetën të plagosur rëndë edhe dy djemtë e Edmond Llangozit, Anxhelo dhe Mihal, 22 dhe 28 vjeç. Nga hetimet e policisë në vendin fqinj ka rezultuar se shkak i ngjarjes ka qenë një borxh prej 600 eurosh.
Ditën e ngjarjes, më 11 janar, njëri prej djemtë e viktimës do t’i kthente shumën e parave personave që ua kishte marrë. Grupi i autorëve në fjalë drejtohej nga shqiptari.
Ata kishin lënë vendin e takimit përballë një kafeneje pranë shtëpisë së tyre. Dëshmitë e dy djemve të viktimës kanë ndihmuar hetuesit grekë për të qartësuar dinamikën e ngjarjes. Sapo njëri prej djemve ka shkuar për të dorëzuar paratë, njëri prej personave që shoqëronte autorin e dyshuar i ka zënë pritë duke e goditur dhe ofenduar.
Këtu ndërhyn edhe djali i dytë i Edmond Llangozit për të shuar debatin. Por në atë moment është afruar me pistoletë në dorë 32 vjeçari shqiptar nga Lezha, i njohur si “Soni”.
Ky i fundit ka qëlluar disa herë në drejtim të dy vëllezërve Llangozi. Pikërisht në këtë moment, për të shpëtuar djemtë, Edmond Llangozi i del para autorit, por 32-vjeçari e qëllon për vdekje.
Duke mos u mjaftuar me kaq, ai ka qëlluar sërish me pistoletë ndaj dy vëllezërve Llangozi dhe nënës së tyre. Me plagë në trup mbetën edhe Anxhelo dhe Mihal Llangozi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



