E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbarkojnë agjentë të BKH në portin e Durrësit, dyshohet se anije me kokainë po vijnë nga Amerika Latine
Lajme

Zbarkojnë agjentë të BKH në portin e Durrësit, dyshohet se anije me kokainë po vijnë nga Amerika Latine

Ndërkohë që nuk është zbardhur ende ngarkesa me kokainë e ardhur nga Ekuadori, gjatë ditës së djeshme në portin e Durrësit kanë zbarkuar agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit të ndihmuar edhe nga Forcat e Rendit të Policisë së Durrësit.

Kontrollet e shtuara në portin më të madh të vendit vijnë për shkak të dyshimeve se një sasi e konsiderueshme droge e llojit kokainë është nisur me kontejnerë nga Amerika Latine.

Sinjalizimet për këtë kanë ardhur pas përgjimeve të telefonave celularë ndaj personave të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës.

Kontejnerët konsiderohen me risk të lartë dhe për këtë arsye në terren kanë zbarkuar hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Shënjestër e kontrolleve dyshohet të jenë dy anije të ardhura njëra nga Italia në drejtim të Durrësit dhe tjetra nga porti grek i Pireut.

Hetimi përfshin përgjime të punonjësve të portit, dy prej të cilëve të arrestuar pasi nuk konstatuan në skaner lëndë narkotike dhe u desh qeni i antidrogës për ta zbuluar. Sakaq, Prokuroria po heton të gjithë stafin e portit të Durrësit, pasi mënyra se si u zbuluan 33.5 kg kokainë ishte dyshuese pasi nuk u konstatua nga punonjësit e skanerit.

Masa e sigurisë

Gjatë ditës së djeshme, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë prej personat e arrestuar në lidhje me ngarkesën e kapur mes bananeve prej 33 kilogramë kokainë.

Kështu, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për një afat 45-ditor për administratorin e kompanisë së bananeve “Bana King”, Petrit Demishaj, 57 vjeç, banues në Tiranë si dhe për dy punëtorët e kompanisë koncesionare të skanimit në portin e Durrësit, përkatësisht Alban Naziraj, 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë operator skaneri në Portin e Durrësit si dhe Artur Sevdaraj, 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë imazhier skaneri, në Portin e Durrësit, të cilët akuzohen për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim kompjuterik”.

Në kërkim u shpall shtetasi Trifon Murataj, 53 vjeç, banues në Tiranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. Sipas Policisë, vijon intensivisht puna për kapjen e tij.

Nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit. Kontejneri me banane u nis më shumë se 21 ditë më parë nga Ekuadori për llogari të kompanisë “Zico” në pronësi të biznesmenit Murataj.

Pas nisjes nga Ekuadori, anija është ndaluar në portin e Panamasë, Cristobal dhe më pas në Greqi për të vijuar në portin Goia Tauro në Itali e përfundimisht në portin e Durrësit. Përveç të kompanisë “Banaking”, në anije kanë qenë edhe kontejnerët e një kompanie tjetër që tregton banane.

Sinjalizimi për lëndën narkotike u mor nga partnerët, të cilët kanë informuar autoritetet shqiptare për një sasi të konsiderueshme kokaine. Megjithatë, deri tani janë zbuluar vetëm 33.5 kg kokaine dhe oficerë të Antidrogës e kanë kaluar në skaner edhe kontejnerë të tjerë me banane.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.