Zbulohet ‘foleja’ e prostitucionit në Fier, 2 të huaja në pranga
Një rast prostitucioni është goditur nga Policia e Fierit pas një hetimi të zhvilluar me metoda speciale, duke çuar në arrestimin e dy shtetaseve të huaja që dyshohet se ushtronin aktivitet të paligjshëm në një apartament të marrë me qira.
Në pranga kanë rënë një 30-vjeçare nga Kazakistani dhe një 31-vjeçare nga Turqia, të cilat sipas hetimeve kishin përshtatur një banesë në qytetin e Fierit për ushtrimin e prostitucionit.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale. Pas verifikimeve dhe mbledhjes së provave, u bë arrestimi i dy shtetaseve të huaja që dyshohet se përfitonin të ardhura nga kjo veprimtari.
Gjatë kontrollit në ambientet e banesës, policia sekuestroi si prova materiale 2800 euro dhe 29 mijë lekë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm, si dhe pesë telefona celularë që pritet të shërbejnë për zbardhjen e plotë të çështjes.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë dhe për të dokumentuar plotësisht këtë aktivitet kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



