Zbulohetn skema e bandës së gjobëvënësve
Prokuroria për Krime të Rënda është duke hetuar si pjesë të një grupi kriminal dy të rinjtë, Erjon Llapushi dhe Sajmir Fraholli, të arrestuar në Pogradec rreth tre javë më parë.Hetimet për dy të dyshuarit, kanë nisur disa muaj më parë, ndërsa me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ata u arrestuan, pasi dyshohet se ushtronin aktivitetin kriminal të gjobëvënies. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta persona përmes shantazhit e dhunës kanë detyruar biznesmenë të ndryshëm që t’u dhurojnë aksione në kompanitë e tyre..
KALLËZIMI DHE HETIMET
Denoncimin në Polici e kanë bërë fillimisht 2 vëllezër, të cilët ishin kërcënuar nga Llapushi dhe Fraholli, në mënyrë që t’i jepnin aksione në bizneset e tyre. Por, pas këtij denoncimi dhe hetimeve të kryera, sipas Prokurorisë, rasti nuk ishte i vetëm, por kërcënime kishin marrë edhe disa persona të tjerë.
Sipas biznesmenëve që kanë rënë pre e kësaj skeme të gjobëvënies nga anëtarët e bandës, me anë të shantazhit dhe dhunës i detyronin ato që të firmosnin kontrata për t’u dhuruar atyre aksione. Në një periudhë 2-mujore, Krimet e Rënda kanë bërë të mundur mbledhjen e disa dëshmive dhe kryerjen e një sërë veprimesh hetimore, si këqyrja e dokumenteve dhe pasurisë së këtyre personave, që dyshohet se janë pjesë e një grupi më të madh. Burime bëjnë të ditur se dy vëllezërit që kanë bërë fillimisht denoncimin, për shkak të frikës se i rrezikohej jeta e tyre dhe e familjarëve, kishin pezulluar dhe punën.
SKEMA
Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda pas hetimeve të kryera ka arritur të zbardhë edhe skemën se si funksiononte grupi dhe marrja e aksioneve. Sipas organit të akuzës, pjesëtarë të grupit, pasi i përvetësonin një pjesë të aksioneve nga biznesmenët, për të humbur gjurmët ua kalonin ato personave të tretë që shpesh kanë qenë edhe me precedentë penalë. Veprimtaria kriminale, për të cilën dy të rinjtë akuzohen, dyshohet se ka filluar në maj të vitit 2018 dhe në vijim, ku dy të akuzuarit dyshohet se kanë shtrënguar nëpërmjet kanosjes dhe dhunës, disa aksionerë të dy shoqërive të transportit të udhëtarëve, ngjarje të ndodhura në qytetet e Pogradecit dhe Korçës. Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
ERJON LLAPUSHI
Një prej personazheve të vënë në pranga nga Policia, rreth një muaj më parë, është i njohur për precedentët e mëparshëm kriminalë. Në njoftimin e saj, Policia bën të ditur se Erjon Llapushi ka qenë i dënuar për dy akuza të tjera, atë të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve dhe municionit”. Llapushi njihet si person mjaft problematik dhe shqetësues për Policinë e Korçës dhe Pogradecit, për shkak të konflikteve dhe përplasjeve të zakonshme të tij me persona të ndryshëm.
Ndërkohë, më herët ai dyshohet se ka plagosur shokun e tij Mariglen Topuzi në një lokal të Pogradecit. Erjon Llapushi mësohet se është djali i një oficeri në Policinë e Shtetit. Por një fakt i tillë nuk e ka penguar aspak atë të regjistronte mjaft precedentë penalë për vepra të ndryshme, që fillimisht klasifikohen prej Policisë si tentativa vrasjeje dhe plagosjeje. Pas kësaj, ai ka marrë dënimin me burgim dhe e ka vuajtur atë.
Prokuroria ka dyshime se dy të prangosurit janë pjesë e një prej grupeve më të rrezikshme, që zhvillojnë aktivitetin e tyre kriminal në Pogradec e Korçë. Ndërkohë, rastin e gjobëvënies e ka denoncuar edhe ish-Kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, me anë të një postimi në faqen e tij në “Facebook”, tha disa muaj më parë, se Llapushi së bashku me një tjetër person kërcënonin biznesmenë në Pogradec.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



